MENU
klinika

Jean Claude-Juncker/ Project Syndicate

Bota ka nevojë për europianët…

17.01.2019 - 11:10

Ajo që bota ka nevojë tani është drejtësia dhe progresi. Bota ka nevojë për Evropën…

Drejtimi i ardhshëm i Bashkimit Evropian (BE) nuk ka qenë kurrë më i rëndësishëm se tani, si për Europën dhe për pjesën tjetër të botës. Në këto kohëra gjithnjë e më të trazuara, BE-ja mund të sigurojë stabilitetin dhe shpresën që bota ka kaq shumë nevojë.

Për dekada të tëra, Evropa ka qenë shembull për integrimin dhe bashkëpunimin në një botë të përçarë. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, kontinenti ka qenë dëshmi e gjallë që multilateralizmi funksionon. E kaluara e trazuar e Evropës “shtroi” rrugën për shtatë dekada paqe, dhe unitetin e 500 milionë qytetarëvemqë jetojnë në liri dhe prosperitet. Evropa është vendi më tolerant, i lirë dhe i barabartë për të jetuar kudo në botë.

Por paqja nuk është e pashmangshme dhe lufta nuk është e papranueshme. Viti 2018 shënoi njëqindvjetorin e fundit të Luftës së Parë Botërore. Evropianët e vitit 1913 mendonin se lufta ishte e pamundur, se ata ishin shumë të lidhur për t’u kthyer kundër njëri-tjetrit.

Duke patur parasysh këtë histori, rikthimi i nacionalizmit duhet të jetë alarmante për të gjithë kontinentin tonë. Besoj se i detyrohemi gjeneratave të kaluara, të tashmes dhe të ardhmes për të luftuar nacionalizmin me gjithë fuqinë tonë.

Kjo do të thotë se ne duhet të përmirësohemi, veçanërisht në frontin ekonomik, duke rritur investimet përmes formave të reja të partneriteteve publike dhe private. Për më tepër, ne duhet të rregullojmë sektorin tonë bankar. Kjo nënkupton një Eurozonë të fortë dhe të qëndrueshme, dhe thellimin e Bashkimit Ekonomik dhe Monetar.

Për më tepër, luftimi i nacionalizmit në shtëpi do të thotë të marrim fatin në duart tona. E megjithatë, në një botë të globalizuar, sfidat kolektive me të cilat përballemi shumëfishohen gjatë ditës. Ndërsa ndarjet brenda shoqërive dhe midis vendeve thellohen, domosdoshmëria për të punuar së bashku rritet.

Duke bashkëpunuar me miq nga e gjithë bota, shtetet anëtare të Evropës mund të bëhen më elastike, si individualisht dhe kolektivisht. Tani është koha për të rinovuar dhe ripërcaktuar lidhjet që lidhin shtetet anembanë botës, ashtu siç po bëjmë ne brenda Bashkimit tonë.

Lidershipi ynë nuk ka të bëjë me vendosjen e “Evropës të Parën”.

Evropa vazhdon të jetë një shembull global si një rajon që mbështet vlerën e solidaritetit global. Në vitin 2016, Evropa ofroi azil për tre herë më shumë refugjatë se Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Australia së bashku.

Bashkëpunimi, në fund të fundit, është në ADN-në tonë. Vendet individuale evropiane thjesht nuk kanë ndikim që të zgjidhin vetë çështjet globale dhe kjo nuk do të ndryshojë.

Deri në vitin 2060, asnjë vend i vetëm evropian nuk do të ketë më shumë se 1% të popullsisë së botës. Evropianët duhet, pra, të vazhdojnë të bashkëpunojnë, me qëllim të vendosjes së një sovraniteti të përbashkët për të gjithë.

Detyra jonë është të forcojmë edhe më tej këtë sovranitet evropian. Kjo do të thotë të flasësh në një zë, duke u përmbajtur vlerave tona.

Historia nuk përsërit vetveten, por shpesh rimon. Bota është shkatërruar më parë dhe kemi parë se si kjo mund të çojë në varfëri, mosmarrëveshje dhe luftë.

Pra, ne duhet të luftojmë populistët, ata që zëvendësojnë faktin me shpikjet dhe që krijojnë gjithë kohën armiq.

Evropa duhet të sigurojë kundërpeshën ndaj këtyre tendencave. Ajo që bota ka nevojë tani është drejtësia dhe progresi. Bota ka nevojë për Evropën.

Jean-Claude Juncker është president i Komisionit Evropian.