MENU
klinika

Profil/ Nikita Hrushov

“Politikanët premtojnë të ndërtojnë ura edhe aty ku s’ka lumë”

13.01.2019 - 17:08

Udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov, ishte një nga politikanët më të guximshëm rus, që publikoi krimet e Stalinit, diçka që shumë prej paraardhësve të tij në poltikë apo edhe bashkëkohësve, nuk guxuan kurrë ta bënin.

Jeta e hershme

Nikita Sergei Hrushov u lind më 15 prill 1894, në Kalinovka të Rusisë, pranë kufirit me Ukrainën. Pas studioi disa vjet në shkollën e fshatit, Hrushovi gjeti punë në një fabrikë në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare. Në vitin 1918, ai u bashkua me Partinë Komuniste dhe luftoi në Ushtrinë e Kuqe gjatë Revolucionit Rus..

Hrushovi i ngjiti shpejt shkallët në parti, duke u bërë anëtar i Komitetit Qendror në vitin 1934 dhe duke fituar disa zgjedhje në Politburo disa vjet më vonë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Hrushovi punoi me ushtrinë për të mbikëqyrur kontrollin sovjetik mbi Poloninë dhe Ukrainën.

Njeriu që guxoi të publikonte krimet e Stalinit

Pas vdekjes së Jozef Stalinit në vitin 1953, Hrushovi përdori me vëmendje aftësitë e tij politike për të transferuar ose izoluar armiqtë politikë që kërcënonin ngritjen e tij drejt udhëheqjes së partisë.

Sigurisht, Hrushov nuk e zuri menjëherë vendin e Stalinit: fillimisht atij ju desh që të përballej me konkurrentët e tij kryesorë, Beria dhe Malenkov. Në luftën midis tyre, Hrushov rezultoi të ishte më dinaku dhe më i rrezikshmi. Në qershor të 1953, ai siguroi mbështetjen e Marshallit Zhukov dhe e largoi Beria. Më pas ai hoqi qafe njëlloj mjeshtërisht Malenkov: dhe u bë Sekretar i Parë i Komitetit Qendror me 7 shtator 1953.

Destalinizimi ishte procesi i filluar nga Nikita Hrushovi, pas vdekjes së ish-diktatorit rus, Joseph Stalin në mars 1953, për diskreditimin e parë të Stalinit dhe më pas reformimin e Rusisë Sovjetike. Hrushovi nuk donte të vazhdonte politikën e spastrimit dhe vrasjes së Stalinit dhe ky drejtim i ri – Destalinizimi – u njoftua nga Hrushovi në një fjalim në Kongresin e Partisë së 20-të të PSDN-së më 25 shkurt 1956, duke tronditur të gjithë ata që ishin të pranishëm dhe jo vetëm.

Me qëllim që të shpartallonte “gardën e vjetër” të Stalinit, Hrushov iu kundërvu “kultit të individit”  të Stalinit dhe paraqiti Molotov, Kaganovich dhe Malenkov si bashkëpunëtorë në krimet staliniste.

Fjalimi ishte një rrezik i llogaritur nga Hrushovi, megjithatë Perëndimi u zhgënjye, sepse Destalinizimi nuk çoi në liberalizim në Rusi.

Numri Një i Bashkimit Sovjetik

Kështu, Hrushov u bë numri Një dhe menjëherë do të kapllohej nga sëmundja e përjetshme e tiranëve: frika. Kështu, ai u përpoq ta rrethonte veten me njerëz që mund t’u besonte. Përderisa Hrushovi kishte lidhje shumë të forta me Ukrainën, ai e formoi ekipin e tij me njerëz prej andej.

Brenda vendit, Nikita Hrushovi u bë i njohur për idetë e tij dramatike, me disa njerëz që e konsideronin humanist dhe të tjerë jo. Ai u përpoq të humanizonte sistemin sovjetik duke ulur kufizimet në shprehjen e lirë dhe duke liruar të burgosurit politikë nga kampet e famshme të detyruara të Gulagut.

“Kriza e raketave”

Marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara u ftohën ndjeshëm pas rrëzimit të një avioni amerikan U-2 në vitin 1960. Një vit më pas, pushtimi i dështuar i SHBA-së nga Bay of Pigs në Kubë dhe fillimi i ndërtimit të Murit të Berlinit në Gjermani përkeqësoi më tej marrëdhëniet.

Në fillim të 1962, Nikita Hrushovi kishte hartuar një plan për të vendosur raketa bërthamore në Kubë. Në tetor, Shtetet e Bashkuara zbuluan se raketat po instaloheshin dhe vendosën një bllokadë detare. Pas 13 ditëve negociatash intensive, kriza përfundoi dhe Rusia ra dakord të hiqte raketat. Shtetet e Bashkuara ranë dakord që nuk do e pushtonin Kubën.

Vizita në Shqipëri

Nikita Hrushovi (1894-1971) ishte udhëheqësi i parë i një vendi të huaj që vizitonte Shqipërinë, në dalje të majit 1959, pas ftesave të përsëritura të udhëheqjes partiake dhe qeveritare shqiptare, të cilat Kremlini i refuzonte me mospërfillje, në ndonjë rast dhe me përçmim.

Hrushovi vizitoi shumë krahina të Shqipërisë (25 maj-4 qershor 1959) midis të cilave dhe Korçën, Gjirokastrën, mjediset arkeologjike të Butrintit dhe portin detar të Sarandës. Ditën e dytë të vizitës së tij, në një miting mbarëpopullor në Tiranë, Hrushovi nyjëtonte esencën e politikës sovjetike për rajonin duke shpallur doktrinën e “Ballkanit pa raketa”.

Misioni i Hrushovit në Shqipëri lidhej edhe me frikën për ripërtëritjen e Paktit Ballkanik abortativ të arritur disa vite më parë mes Jugosllavisë, Greqisë dhe Turqisë, demonstrimin e forcës bërthamore në rajonin e Mesdheut, inspektimin e marrëdhënieve mes vendeve të bllokut lindor në hije të rebelimit titist dhe të mbështetjes të së vetmes vendrojë të Bashkimit Sovjetik në strategjinë e Mesdheut në dritën e mëtimeve afatgjata ushtarake në rajon; natyrisht, nuk kishin dalë ende në dritë rivalitetet e brendshme në bllokun lindor ndërsa konflikti sovjeto-kinez dhe shqiptaro-sovjetik ende nuk po dukej. Për pasojë, themeli i kampit lindor dukej solid.

Vitet e fundit të jetës

Megjithëse marrëveshja shmangte një konflikt, zyrtarët e lartë të Partisë Komuniste e panë atë si një humbje të prestigjit të Bashkimit Sovjetik. Kjo, së bashku me dy vitet e rritjes së dobët ekonomike dhe marrëdhëniet e tensionuara me Kinën, ndër të tjera, u dha armiqve politikë të Hrushovit në Kremlin momentin e duhur për ta larguar nga pushteti.

Më 14 tetor 1964, Komiteti Qendror pranoi kërkesën e Hrushovit për të dalë në pension për shkak të “moshës dhe shëndetit të dobët”. Ai u zëvendësua nga Leonid Brezhnjev dhe i kaloi vitet e tij të mbetura në pronën e tij. Nikita Hrushovi vdiq nga shkaqe natyrore më 11 shtator 1971.

Disa nga thëniet e udhëheqësit rus janë:

-Politikanët janë të gjithë njësoj. Ata premtojnë të ndërtojnë urë edhe atje ku nuk ka lumë.

-Nëse jetoni në mesin e ujqërve, duhet të veproni si ujk.

-Ekonomia është një subjekt që nuk respekton shumë dëshirat e gjithkujt.

-Bombat nuk zgjedhin. Ato do të godasin gjithçka.

-Sa më shumë bombardues, aq më pak hapësirë për pëllumba paqeje.

-Nëse jetoni në mesin e qenve, mbani një shkop. Në fund të fundit, ja pse ai ka dhëmbë…

-Shtypi është arma jonë ideologjike.