Teatri Metropol hap siparin e sezonit të tij artistik 2019 me shfaqjen‘’Tullumbaci i kuq’’. Kjo shfaqje për fëmijë me autor të Barry Komhauser dhe me regji të Roerd Toçes.
Në qendër të shfaqjes ‘’Tullumbaci i kuq’’ është një burrë me një tullumbace të kuqe që vjen në skenë nëpëmjet pantonimës së tij, komunikimit me simbole veprimesh, gjë kjo që solli një reagim emocionesh të mëdha te publiku.
Aktori dhe personazhi i vetëm në shfaqje është një plak. Plaku nuk flet më dhe nuk ka me kë të flasë kështu që komunikimi në shfaqje arrihet nëpërmjet shumë pantonimave. Erdet Miraka e luan bukur këtë rol dhe mundohet në mënyrë profesionale të vërë në lëvizje lojën e fëmijëve.
Ngjarjet vendosen në Paris në një apartament të vogël dhe të një zymtësie që e sjellin lojën aktoriale të Erdetit edhe më bukur, Trishtimi i mënyrës së jetesës dhe pranimi i kësaj mënyre jetese bën që të harrohet i foluri më shumë se të zhvillohet komunikimi si një mënyrë e re. Nga ana tjetër tullumbacja e lëviz ngurtësinë e tij, e nxjerr jashtë lëvizjen e aktorit.
Me një sërë veprimesh të jetës së përditshme, që nga procesi i ushqimit e deri tek shmangia e tullumbaces po aq sa dhe afrimit, e shprehjes së qartë të atyre zakoneve që i kishin ngelur në dhomën e tij të trishtë aktori mundohet të zgjojë emocionet fëmijëve në sallë.
Nga ana tjetër ky trishtim vjen në kontrast dhe në kundërshtim me karakterin e tullumbaces së kuqe që ikën e vjen vrullshëm dhe të fëmijëve që duken energjikë në ndjekjen e tyre, gjallërinë e tyre, çapkënë dhe lozonjarë ashtu si janë fëmijët.
Në këtë lojë midis subjektit dhe objektit të sallës thyhet heshtja e karakaterit të plakut dhe ai fillon ta heqë ngurtësinë e tij. Fillon të lëvizë sipas shfaqjes që ai vetë e krijon, fillon të zgjojë gëzime fëmijësh.
E rëndësishme është që të përfshihen fëmijët dhe kjo nëpërmjet mjeshtërisë së plakut dhe pantonimave të tij, për të bërë fëmijët të përfshishen te plaku dhe plaku të përfshihet te fëmijët sikur fëmijët e bëjnë plakun të reagojë.
Ai dalëngadalë zgjohet dhe fillon të kërkojë një drejtim të ri të marrëdhënies së tij me fëmijët, me lëvizjet me pantonimën e vet përkundrejt fëmijëve, fillon të futet në lojën e gëzimit, të fillojë lojën.
Me anë të komunikimit të trupit gjuha fillon të lëvizë në një sërë simbolikash që e bën më të thjeshtë, më të prekshëm dhe më të shfaqur emocionin përkundrejt fëmijëve. Loja emocionale i ndjell bukur dhe gëzueshëm fëmijët. Ata përfshihen gjithashtu në këtë lojë, madje fillojnë të komentojnë, të zgjasin duart dhe të veprojnë në teatër.
Kjo shfaqje e këndshme për fëmijë do të vazhdojë të ngjitet çdo fundjavë në skenën e Teatrit Metropol.