MENU
klinika

Skualifikimi

Evropian “i mallkuar”, nuk garon as Gega

02.03.2019 - 10:55

Dy atletët elitarë shqiptarë po kalojnë një periudhë të vështirë dhe të pafat. Evropiani i sallave të mbyllura në atletikë i këtij viti (1-3 mars në Glasgow) ka qenë i mallkuar për atletikën shqiptare.

Pas dëmtimit pak orë para garës të Izmir Smajlaj, që nuk garoi në kërcim së gjati, në mbrëmje ka ardhur si “rrufe në qiell të hapur” edhe skualifikimi i Luiza Gegës.

Ajo duhet të garonte në mbrëmjen e 1 marsit në finalen e 3000 metrave, por atletja kuqezi nuk ka qenë fare në start. Arsyeja? Gega është skualifikuar pak orë para garës nga organizatorët e Europianit që po zhvillohet në Glasgoë të Skocisë.

luiza gega
luiza gega

Luiza Gega ishte kualifikuar në dy disiplina: 1500 dhe 3000 metra, të dyja zhvilloheshin sot. Sipas informacionit që vjen nga Britania e Madhe, atletja kuqezi duhej të kishte deklaruar 24 orë më parë se nuk do të garonte në 1500 metra, garë e cila zhvillohej më herët (paradite) dhe se në pistë do të zbriste vetëm në 3000 metra (në mbrëmje).

Për pasojë, kjo mungesë e njohjes së rregullores i ka kushtuar rëndë atletes, që është skualifikuar nga organizatorët. Madje Luiza Gega nuk ka qenë fare në “start-list” të garës së 3000 metrave, ndërsa në garën e 1500 metrave figuron si një sportiste që nuk ka marrë pjesë në atë garë.