Pasi fitoi kampionatin vitin e kaluar, Erzeni në volejboll për meshkuj ka rrëmbyer edhe Kupën e Shqipërisë, pasi ka mundur 3-0 Partizanin në finalen e zhvilluar mbrëmjen e së dielës në sallën sportive “Feti Borova” në Tiranë.
Ndryshe nga ekipi i vajzave, Partizani i djemve, nuk ka dhuruar emocionin dhe rivalitetin e pritur, pasi ka gabuar vazhdimisht duke lënë Erzenin të komandojë këtë përballje.
Një set i parë që nisi si i barabartë deri në pikën e 9-të, por më pas saktësia e Erzenit, veçanërisht në shërbime, ka bërë të mundur që të shkëputet dukshëm duke fituar 15-25, ndërsa Partizani ka shfaqur nervozizëm.
Edhe seti i dytë, ka përfunduar në shifrat 21-25 në favor të ekipit shijakas, që ka komanduar këtë set nga fillimi në fund, duke e merituar plotësisht këtë rezultat.
Seti i tretë, vendimtar, do të sillte ose pikën e kthesës për “të kuqtë” ose mbylljen e ndeshjes nga Erzeni, duke “çuar” në shtëpi Kupën e Shqipërisë.
Dhe avantazhi numerik 2-0 i shijakasëve ka ndikuar në rritjen e besimit të tyre, duke rritur saktësinë në lojë, por njëkohësisht shtimin e tensionit te kundërshtarët. Kampionët e Arben Sakos mbyllën sfidën në shifrat 25-20 dhe të gjithë ndeshjen 3-0.