MENU
klinika

Ezra Paund-parajsa e thyer

A kishte qenë poeti i çmendur?

18.04.2019 - 16:05

“Nuk jam kredhur në heshtje, është heshtja që më ka pushtuar”.

 

Ezra Pound, poeti, muzikanti dhe kritiku amerikan, ishte pjesë e lëvizjes moderniste të viteve 1920, shoqëruar shpesh me Gjeneratën e Humbur. Të paktë janë shkrimtarët që kanë pasur një jetë kaq ekstravagante, të larmishme dhe ngadhënjimtare. Një vizionar i shkëlqyer? Një tradhtar i atdheut? Një i çmendur? Një mendjendritur? Një fanatik? Po, por njëherazi, ndoshta për të parën herë, një mjeshtër i saktë, një zbulues bujar, një dijetar autodidakt gjithmonë origjinal, një revolucionar i perceptimit dhe gjuhës, krijuesi dhe udhëheqësi i një pjese thelbësore të letërsisë dhe artit të asaj kohe kaotike.

Pound lindi në vitin 1885 në Amerikën e thellë, në gjirin e klasës së mesme dhe legjendare, puritane, utopike, predikuese biblike, por antibankare. Me emra profetikë, i ati quhej Homer. “Unë isha djali i babait, në kundërshtim me nënën time. Rasti im është në ekstremitetin e mundshëm larg kompleksit të Edipit” – do shprehej Pound. Gjatë rrugëtimit të jetës, Pound do të ketë marrëdhënien më të mirë me prindërit, të cilët do të jenë edhe aleatët e tij më të mirë.

 

 

Ishte periudha kur bota ziente për sulm, një Rilindje e jashtëzakonshme po ravijëzohej, pavarësisht reve gjithnjë e më kërcënuese. Pikrisht atje, Pound, ngërthyer nga obsesioni “ekonomik”, do të kalonte dhe do të kryente gabimin e tij të madh. Ai fillon t’i besojë një njeriu, që miku i tij Heminguej, më i kthjellët në mendime, u shpreh se nuk ishte tjetër veçse “një bllof i madh”: Musolinit. Antisemitizmi dhe fashizmi: një nga dy sëmundjet nervore asgjësuese të kohës. Antisemitizmi? “Paragjykim torollak provincial”, – ia përkufizoi Pound poetit të ri hebre, Allen Ginsberg, i cili kishte shkuar ta takonte në Venecia. Megjithatë, “paragjykimi torollak” i pushtoi mendimet, fantazitë e rigjenerimit monetar, gjykimet gjithnjë e më shumë ngazëllyese kundër Ruzveltit dhe Amerikës.

Poeti amerikan i emigruar, i konsideruar nga shumë si poeti me ndikim më të madh në shekullin e 20-të, u kthye i poshtëruar në atdhe në vjeshtën e vitit 1945. Pound kishte bërë transmetime radiofonike në emër të regjimit fashist italian gjatë gjithë luftës. Në fund, Pound përfundoi duke u shpallur i çmendur dhe u mbyll në azilin St. Elizabeths për gati 13 vjet, poeti mërgimtar që u kthye i çnderuar në shtëpi dhe bota e pasluftës e shikoi si gjigandin letrar akuzuar për tradhti. Pakkush e di se fundi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti poetin Pound në Itali, në Rapallo, arrestuar nga partizanët antifashistë për t’ua dorëzuar më pas amerikanëve. Në maj 1945, Pound e futën në një kamp të ushtrisë amerikane afër Pizës, e mbyllën në një kafaz në ajër të pastër ndriçuar natën nga prozhektorët. E mbajtën në izolim për tre javë, derisa poetin e lanë nervat.

 

 

Më 19 prill 1958, Gjykata Federale e Shteteve të Bashkuara vendosi ta nxjerrë poetin nga çmendina, ku ishte qëndruar për 12 vjet. Por a kishte qenë vërtet poeti, i çmendur? Historianët dhe psikiatrit, sjellin pamje të reja të rrethanave që çuan në izolimin e Ezra Poundit në spital dhe mosdaljen në proces gjyqësor për tradhti.

“Askush nuk mund të kuptojë diçka, nëse nuk ka parë dhe jetuar të paktën një pjesë të saj”, – do të shkruante Ezra.

Në të vërtetë, kush e bëri historinë e shekullit XX? Nga kthesat, devijimet, shpërthimet, ndalesat, shpikjet? Kush shkaktoi më shumë viktima: Hitleri apo Stalini? Kush gaboi më pak: Bretoni, Aragoni, Pikaso, Seline? A është Zoti, ende aty për të gjykuar të tijët? Po ashtu, ngrihet pyetja: a mund të ketë qenë një poet i madh dhe njëkohësisht një fashist i bindur dhe një antisemit i pamëshirshëm? Jo, apo ajo? Këtu qëndron problemi. “Nëse Ezra Pound nuk do kishte ekzistuar, – shkruan Humphrey Carpenter në biografinë e tij monumentale, – në atë ditë të caktuar dhe reale, do të kishte qenë shumë e vështirë ta shpikte”. Vdiq në Venecie, më 3 nëntor 1972.

 

“Parajsën, ja se ç’tentova të shkruaj,

Mos luani

Lereni flladin të flasë

Parajsa është atje

Zotat më falshin për këtë që po bëj

Bëj që ata që dua të më falin për këtë që po bëj”

 

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Agolli, poeti i tokës, njeriut dhe... vdekjes.

“Ç’t’i bësh! S’më rrihet pa shkrepur një varg”

MARTHA RIVERA GARRIDO

‘MOS U DASHURO’


Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB