Fundjava e Çmimit të Madh të Azerbajxhanit ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për Ferrarin.
Dy pilotët e skuadrës italiane ishin më të shpejtët në sesionin e dytë të provave të lira.
Charles Leclerc regjistroi kohën më të mirë duke vënë në rresht të gjithë rivalët përfshirë edhe shokun e skuadrës Sebastian Vettel që u rendit i dyti me 3/10 e sekondës më i ngadaltë se Leclerc.
Në vendin e tretë u klasifikua makina Mercedes e Lewis Hamilton, 6 të dhjetat më e avashtë.
Pas tij u renditën dy pretendentë të tjerë, Max Verstappen me Red Bull e Valtteri Bottas më makinën tjetër Mercedes.
Sesioni i dytë u zhvillua normalisht pas incidentit që ndodhi në sesionin e parë, me një pusetë që shkatërroi makinën Williams e ndërpreu provat.
Të shtunën do të zhvillohen provat zyrtare për “pole position”, ndërsa të dielën do të zhvillohet gara e Çmimit të Madh të Azerbajxhanit, gara e 4-t sezonale në Formula 1.