Ndërsa konflikti në Libi nxehet, fjalët e Moskës kanë mbetur të ftohta dhe racionale.
Gjatë një vizite të kohëve të fundit në Egjipt, Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov tha se “detyra e Rusisë është të ndihmojë popullin libian dhe të arrijnë një marrëveshje të qëndrueshme”.
Dhe në fillim të javës Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha se Rusia do të përdorë çdo mundësi të mundshme për të shmangur gjakderdhjen dhe vdekjet në popullatën civile.
Që nga fillimi i prillit, forcat ushtarake të Khalifa Haftar janë në konflikt me kryeministrin Fayez Sarraj, që e ka akuzuar Haftarin për përpjekjen e një grushti shteti.
Rusia duket se po përpiqet të shmangë konfliktin. “Kjo është një situatë shumë delikate diplomatike për Rusinë,” thotë Viacheslav Matuzov, një diplomat që tani punon si një ekspert i pavarur në Lindjen e Mesme.
Aleatët e rusëve mbështesin pale të ndryshme në konflikt: Turqia dhe Algjeria, për shembull, mbështesin qeverinë e Tripolit të mbështetur nga OKB, ndërsa Egjipti dhe Arabia Saudite mbështesin gjeneralin Haftar.
Si Algjeria dhe Egjipti janë blerësit më të mëdhenj të armëve ruse. Dhe Turqia është një partner i rëndësishëm për Rusinë ndërkombëtarisht, si në konfliktin në Siri ashtu edhe në konfliktet midis Turqisë dhe NATO-s, një aleancë që Rusia e sheh si një kërcënim. Ndërkohë Arabia Saudite është gjigand i naftës.
Matuzov argumenton se arsyeja kryesore pse Rusia është e përfshirë në këtë situate është frika e Moskës se kaosi në Libi mund të lejonte ringjalljen e “Shtetit Islamik”, i cili do të ishte një shqetësim serioz për sigurinë.
Analisti i pavarur ushtarak rus Pavel Felgenhauer argumenton se Moska po mbështet Haftarin “prapa dyerve të mbyllura”, diçka që Kremlini e ka mohuar.
Felgenhauer beson se një gjë mund të ketë lëvizur peshoret në favor të Haftarit: Paratë. Në fund të fundit, ai është përgjegjës për pothuajse të gjitha rajonet e prodhimit të naftës në Libi.
Në fund të vitit 2018, RBC raportoi se ka trupa ruse në lindje të Libisë, duke cituar një burim pranë Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë. Gazeta e pavarur Novaya Gazeta botoi një video që tregon Yevgeny Prigozhin që merr pjesë në bisedimet me gjeneralin Haftar në Moskë. Prigozhin është një njeri i afërt Presidentit rus Vladimir Putin.
Ish.diplomati rus Matuzov mendon se dërgimi i mercenarëve rusë në Libi do të ishte e pamundur, duke i quajtur pretendimet “dezinformata”. Por eksperti ushtarak Felgenhauer nuk është aq i sigurt.
Megjithatë, Rusia nuk ka gjasa të nisë një ndërhyrje në shkallë të gjerë në Libi ashtu siç bëri gati katër vjet më parë në Siri.
Felgenhauer nuk mendon se i përshtatet synimeve strategjike të Rusisë. “Rritja kryesore e politikës së jashtme ruse dhe e politikës ushtarake është anti-amerikanizmi. Kjo funksionon në Siri dhe Venezuelë, por në Libi nuk është e qartë se kë po mbështesin amerikanët në të vërtetë”.
Matuzov pajtohet që Libia nuk do të jetë Siria e re e Rusisë. Moska nuk ka nevojë për një tjetër pikëmbështetje për interesat e saj strategjike në Lindjen e Mesme. Dhe për më tepër, shton ai, Moska thjesht nuk mund të përballonte një bazë në Libi.