Të gjithë individët apo familjet që i nënshtrohen procedurave të zhvendosjes nga banesat e tyre do të akomodohen sipas disa kritereve të reja.
Këshilli i Ministrave përcaktoi procedurat për zhvendosjen nga vendbanimi për rastet e parashikuara me ligj apo rastet e bashkëpunimit institucional.
Një nga situatat që pritet “të qetësojë” ky vendimi i Ministrave mund të jetë edhe ajo e banesave në Unazën e Madhe ku janë prekur 424 pasuri, ashtu sikurse edhe raste të tjera kur vepra të mëdha bëjnë të detyrueshme shembje godinash.
Pavarësisht nëse individët dhe familjet që preken nga zhvendosja gëzojnë ose jo pronësinë, vendimi i ri parashikon se ata do të kenë strehim nga organet kompetente.
Për rastet në të cilat individët apo familjet nuk kanë pronësi mbi banesat ku jetojnë, gjithsesi do të kenë drejtën për ristrehim, në përputhje me kriteret, si: siguria, aksesueshmëria, kostoja e përballueshme e banesës, kushtet e banimit, shprehja e identitetit kulturor dhe aksesi në shërbime bazë, kujdesi social, shëndetësor dhe arsimi.
Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon për personat ose grupet e zhvendosura, veçanërisht ata që kanë të ardhura të ulëta dhe shumë të ulëta, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, fëmijët e gratë shtatzëna do të kenë akses të sigurt e të mbrojtur në:
- a) ushqim, ujë të pijshëm dhe higjienë bazë;
b) strehim dhe akomodim bazë;
c) veshje të përshtatshme;
ç) shërbime mjekësore bazë;
d) burime jetese;
dh) ushqim për bagëtinë dhe akses në burime të pronës së përbashkët nga të cilat vareshin dikur;
e) arsim për fëmijët dhe ambiente për kujdesin ndaj fëmijëve.