Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka ripërsëritur apelin ndaj bankave të nivelit të dytë për të shtuar kreditimin ekonomisë shqiptare.
Kjo kërkesë e kreut të Bankës Qendrore vjen pas nisjes së diskutimit të një platforme të re për të shtuar kreditë për ata sektorë që kanë potencial. Ndërkohë kreu i shoqatës së bankave bëri apel për më shumë stabilitet në vend.
Ekonomia shqiptare ka nevojë për më shumë financim për tu zhvilluar. Ky ka qenë mesazhi i dhënë nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë në konferencën e organizuar nga Shoqata e Bankave me rastin e në 20-vjetorit të krijimit të saj.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në konferencën e tretë të Shoqatës Shqiptare të Bankave (ShShB), me temë: “Bankat për zhvillim të qëndrueshëm”, të organizuar me rastin e 20-vjetorit të krijimit të ShShB-së në Shqipëri.
Në kuadër të ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe industrisë bankare për një zhvillim të qëndrueshëm, në këtë konferencë merrnin pjesë politikëbërës dhe përfaqësues nga institucione financiare kombëtare dhe ndërkombëtare, sistemit bankar dhe shoqatave të bankave të rajonit.
Aktiviteti u hap me fjalët përshëndetëse të z. Silvio Pedrazzi, Kryetar i SHSHB-së dhe z. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë.
Në fjalën përshëndetëse, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, vlerësoi rolin koordinues të ShShB-së në industrinë bankare, si dhe progresin e konsiderueshëm të sistemit bankar në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit. Ai theksoi se zhvillimi i sektorit bankar dhe i sistemit financiar në përgjithësi është përballur me sfida të formave dhe përmasave të ndryshme. Këto sfida kanë kërkuar kujdes dhe vendimmarrje aktive, inteligjente e kurajoze.
Më tej, ai theksoi se potenciali financiar i vendit duhet të pasqyrohet më mirë në kreditimin e bizneseve dhe familjeve shqiptare.
Gjithashtu, ai shtoi se sektori bankar duhet të jetë më i vëmendshëm në alokimin eficient të fondeve dhe paralelisht me të, duhet bërë më shumë punë për rritjen e përfshirjes financiare të popullsisë. Në këtë kontekst, ai shtoi se shkalla e përmbushjes së këtyre funksioneve do të ketë një lidhje të ndërsjellë me ritmin e zhvillimit të vendit në horizontin afatgjatë.
Në përfundim, Guvernatori Sejko shprehu bindjen se sektori bankar do të dijë të ngrihet në lartësinë e këtyre sfidave dhe se konkluzionet e konferencës do të shërbejnë për të reflektuar më tej në këtë drejtim