MENU
klinika

1938: Balloja e madhe

Si u njohën mbreti Zog me konteshën Apponyl

02.05.2019 - 16:35

Biografja franceze e mbretëreshës Geraldinë, Josephine Dedet, e përshkruan me romantizëm udhëtimin e Geraldinës, drejt dashurisë dhe fronit të mbretëreshës.

Durrsakët i bënë një pritje madhështore. Ishin mbledhur të gjithë në mol, ku u ankorua anija dhe e pritën duke tundur shamitë dhe me bandë muzikore. Kur njerëzit largohen, afrohet një benz i zi.

Gjatë një ore ecjeje nga Durrësi në Tiranë, Geraldinës i bëjnë përshtypje rrugët e mbushura me gomerë, burrat me kobure në brez dhe ecja e tyre krenare para grave, të ngarkuara mbi kurriz me gjithëfarë sendesh.

 

 

Geraldina bashkë me dy shoqëruesit e saj do vendoset në shtëpinë e Toptanasve që në fakt do ishin pronat e vjerrës së saj të ardhshme. Të gjithë përgatiten për ballon e madhe të Vitit të Ri, festë gjatë të cilës, do të prezantohet mbreti me konteshën Apponyl.

Në atë mbrëmje festive ishin të ftuar rreth 2 mijë vetë. Konteshës së re do i bënte përshtypje pallati mbretëror, i mobiluar sipas stilit francez dhe me koleksione të shumta armësh. Vajzës së re do t’i afrohet menjëherë pas hyrjes motra e Zogut, princeshë Sanija, e cila i kërkon ta shoqërojë te mbreti Zog.

“Mbërritëm në fund të sallës, ku papritur përpara meje pashë një burrë të gjatë e të hollë, tepër elegant, i cili bisedonte me një prej shefave të misioneve të huaja në Shqipëri. U kthye nga unë dhe duke ndeshur vështrimin e tij të parë, ndjeva një ankth të pazakontë. Kishte sy blu, depërtues dhe përfshirës”, – do t’i tregonte mbretëresha biografes së saj, Dedet.

Zogu në atë kohë ishte 42 vjeç, por tregonte dhjetë vjet më pak.

 

 

Ajo do tregojë se mbreti i drejtoi një buzëqeshje plot nur, e falënderoi për udhëtimin dhe e pyeti si kishte shkuar rruga e gjatë. Shumë njerëz vinin t’i takonin dhe motrat e Zogut, i largonin me lezet. Më pas, mbreti i afron një gotë me shampanjë. Gishtat e tyre u prekën dhe në atë çast u shuan dritat. Hungarezja u emocionua kaq shumë sa i ra gota nga duart, duke u thërrmuar në mijëra pjesëza. Nga të gjitha anët shpërthyen brohoritje dhe duartrokitje. Kishte hyrë viti 1938.

 

I prekur nga hutimi i vajzës së re, mbreti e fton të merrnin diçka për të ngrënë. Më pas, ata anohen larg syve kureshtarë për të zhvilluar takimin e parë “tête à tête”. Ai i tregon për ditët e lumtura që kish kaluar në Vjenë, duke i kujtuar një sërë aventurash në sallat e operave dhe në shoqërinë e lartë vjeneze. Mbreti ishte një gojëtar i përsosur. Zëri i tij ka një timbër të veçantë, ledhatues dhe të vendosur, çka bënte për vete të gjithë dëgjuesit.

 

 

 

Në orën pesë të mëngjesit, vajza hungareze do të rikthehet në vilën Toptani. Ajo do t’i besojë biografes së saj: “Nuk isha mësuar të bisedoja me një burrë njëzet vjet më të madh se unë, por në atë çast frikërat e mia u zhdukën. Ndaj dhe pse më kishin mësuar si duhej të flisja, unë i thashë vetëm ato që kisha në zemër. Njiheshim fare pak, por nuk mund t’i bëja ballë hijeshisë që përhapte tërë personi i tij. Ndihesha e dashuruar. Pa mundur t’i analizoja dot ndjenjat e mia, e dija se, kurrë nuk do të takoja një burrë si ai”.

 

Dhjetë ditë për t’u menduar. Ky ishte afati, që mbreti Zog i vuri konteshës Apponyl. Por, ajo e kish vendosur që atë çast që shkëmbeu fjalët e para me të, të ardhmen e saj. Gjatë këtij dhjetëditëshi, ata do takoheshin përditë dhe hungarezja e bukur, e çuditi Zogun, kur i kërkoi të bënte udhëtime në Shqipëri për të njohur vendin, ku pak më vonë, do të shpallej mbretëresha e shqiptarëve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fotot me ngjyra/ Një histori si në përralla!

81 vite e 1 ditë nga dasma mbretërore që pa Shqipëria


Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB