Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ishte në Lushnje për të parë nga afër kantierin e një investimi strategjik që po kryhet në sektorin bujqësor.
Janë 8 milionë euro që do të investohen në këtë qendër, e cila pritet të jetë më e madhja në rajon. Ministri Çuçi vuri theksin tek rëndësia që kanë pikat e grumbullimit si një hallkë e domosdoshme për të rritur eksportet dhe rrjedhimisht për të krijuar më tepër të ardhura për fermerët.
“Ne e kemi vënë theksin tek pikat e grumbullimit. Deri më tani politikat qeveritare nuk kanë qenë të orientuara në këtë drejtim. Nëse duam të rrisim prodhimin bujqësor shqiptar, duhet të fokusohemi tek serrat dhe pikat e grumbullimit. Këto janë çelësi i bujqësisë dhe fakti është që po japin rezultat.
Nga viti në vit ne po rrisim eksportet e prodhimeve bujqësore.
Vetëm eksporti i domates është rritur 90% për katër mujorin e parë të këtij viti”, tha ministri Çuçi, duke shtuar gjithashtu edhe rëndësinë e çertifikimit Global G.A.P, për t’i rritur çmimin prodhimeve tona bujqësore.
Qendra e grumbullimit që po ndërton ‘Doni Fruits’ do të ketë 33 dhoma frigoriferike dhe magazina për prodhimet bujqësore, me ruajtje dinamike të produktit deri në 2 vjet.
Hapësira e biznesit për këtë investim është rreth 3 hektarë, ndërsa numri i të punësuarve direkt llogaritet në mbi 300 vende pune.
Në mënyrë indirekte ky investim i ri pritet të krijojë mbi 6 mijë vende pune pasi ndodhet në një pozicion strategjik, ku kryqëzohen tre zonat që kanë më shumë prodhime bujqësore në vend; Lushnja, Fieri dhe Berati. Punimet parashikohet të përfundojnë pas 18 muajsh.