Rikthimi i Neymar Junior tek Barcelona është më shumë se një spekulim mediatik.
Sulmuesi brazilian ka të gjitha gjasat që këtë verë të prodhojë sërish një bombë në merkaton e verës. Tek Barcelona kanë mbyllur njërin sy dhe pjesa më e madhe e drejtuesve dhe e lojtarëve kryesorë e kanë falur brazilianin, duke preferuar që ai të rikthehet sërish në gjirin e tyre.
Gjithsesi ka edhe nga ata që nuk e harrojnë mënyrën sesi Neymar e braktisi Barçën dy vite me parë.
Ditën e djeshme ishte gazetari spanjoll Josep Pedrerol i “Chiringuito TV” që ngriti disa pikëpyetje të mëdha në lidhje me rikthimin e 27-vjeçarit, duke e quajtur një bast të rrezikshëm, që përveç tradhtisë, tashmë braziliani është një lojtar që dëmtohet kollaj dhe s’dihet si do marrë karriera e tij.
Edhe më rëndë ka folur një legjendë e Barcelonës, Francisco Jose Carrasco, i njohur si Lobo Carrasco, që gjatë një deklaratë në emisionin “Jugones”, në Spanjë ku tha: “Nuk do ta falja Neymar edhe nëse do të vinte në gjunjë në ‘Camp Nou’”.
Carrasco që ka luajtur për 11 vite (1979-89) tek Barcelona tha se zgjedhja më e mirë për klubin katalanas është të firmosin me Antoine Griezmann.