MENU
klinika

Pezullon 2 aktivitete

AKU me “dorë të hekurt”, më shumë se 1.7 mln lekë gjoba

19.07.2019 - 14:43

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vijuar kontrollet për sigurinë ushqimore dhe ka rezultuar se dy subjekte në Tiranë, një në Berat dhe një në Dibër nuk përmbushin kërkesat ligjore të sigurisë ushqimore

Sipas njoftimit, nga kontrolli i ushtruar në subjektin me aktivitet “Market për produktet ushqimore”, Kamëz, Tiranë, u konstatua se subjekti ushtronte veprimtarinë i pa pajisur me licencën përkatëse. Për shkeljen e konstatuar, AKU mori masën administrative të “Gjobë” me vlerë 1,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit duke mos disponuar licencën përkatëse.

Në subjektin me aktivitet “Supermarket për produkte ushqimore”, Tiranë, AKU konstatoi problematika në etiketimin e produkteve ushqimore.

Për shkeljen në fjalë AKU mori masën administrative “Gjobë” me vlerë 100,000 lekë për etiketim të produkteve në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu, nga kontrolli i ushtuar në subjektin me aktivitet “Tregtim mishi”, Bulqizë, Dibër, u konstatua se subjekti ushtronte aktivitetin i paregjistruar në QKB, si dhe në ambientin e tregtimit u evidentua papastërti në mure, tavane dhe dysheme e dëmtuar. Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masat e mëposhtme “Gjobë” me vlerën 100.000 lekë për ushtrim të aktivitetit i paregjistruar në QKB, “Gjobë” me vlerën 50,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare në ambientin e tregtimit si edhe “Bllokimi i aktivitetit” në mënyrë të menjëhershme, deri në plotësimin e kushteve ligjore.

AKU ushtroi kontroll në subjektin me aktivitet “Njësi tregtimi”, Poliçan, Berat dhe konstatoi se subjekti ushtronte veprimtarinë i paregjistruar në QKB, si dhe u evidentua tregtimi i produkteve të cilave u kishte kaluar afati i përdorimit (biskota, akullore, llokume, pije freskuese etj).

Sipas njoftimit, gjatë kontrollit u konstatuan një sërë produktesh të paetiketuara, çka përbën shkelje ligjore (qumësht, sallam, sodë buke, piper, kanellë dhe limontos), si dhe subjekti nuk dispononte sistemin e gjurmueshmërisë për produktet ushqimore që tregtonte.

Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masat e “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë për hedhjen në treg të produkteve me afat të kaluar përdorimi, “Gjobë” me vlerën 50,000 lekë për etiketim të produkteve në kundërshtim me ligjin, “Gjobë” me vlerën 150,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, “Bllokimi i aktivitetit” në mënyrë të menjëhershme dhe “Bllokim i produkteve” të konstatuara të pasigurta për konsum, me qëllim asgjësimin e tyre.