MENU
klinika

Himara historike

Kurorë harku sipër Jonit

08.07.2019 - 13:33

     “Kush është lulja e vilajetit?…” – nis një këngë himariote për perlën shqiptare buzë Jonit. Këtë përcaktim ia dha natyra në gjeografi. E merituan dhe vetë në histori. Një kurorë sovraniteti në harmoninë e përbashkët të maleve rrotull dhe të detit buzë tyre, me emrin Himara. Në këtë kurorë ka rrezatuar dritë tërë kombi shqiptar, si për një brilant në kostumin e tij unik.

Përballë kësaj mrekullie të shqiptarëve në vendin e tyre, për fat të keq nuk u ndanë kurrë retë e shovinizmit grek karshi saj. Duke ëndërruar Shqipërinë e Jugut, ata e kanë llogaritur saktë pamundësinë e pushtimit të menjëhershëm të atij masivi vigan malor përballë, që ngrihet me emrin Labëri e që dikur, thirrej bashkë “Lidhja himariote”. […]

Një legjendë ilire, thotë se Joni, bir i Dyrrahut, u vra në luftë dhe e hodhën në det. Këndej, deti mori emrin “Jon”. Dijetari Stefan Bizantini, shkruan të njëjtën gjë, që emri “Jon” i detit rrjedh nga heroi ilir i quajtur Jon.

 

 

 

 

Kurorë harku sipër Jonit, malet rrinë si me zemërim perëndie, të denja për emrin me të cilin i thirren dikur, “Akrokeraune” (malet e Rrufesë). Karaburunin poshtë tyre, Virgjili e quajti “Thithës të rrufeve”. Tutje, maja e njohur që populli e quan “Vetëtima” (motra e rrufesë). Në krah mali i Vranishtit (kujto Urani, perëndi e qiellit për pellazgët). Përballë “Çika”, thua nxjerr çika zjarri të Hefestit mbi vete. Gjithçka prej perëndie. Materia nga toka. Emërtimet nga qielli. Udhëtari anglez E. Lir, që i pa me sy, shkroi në ditar: “Gjë më sublime nuk kam parë!”. “Tej atyre maleve mbi Himarë, – shkruan Samiu në Enciklopedinë e vet, – kujtohet se banojnë divat që quhen Gjika”.

Legjendën ku e ka zanafillën historia, del dëshmi pse krahina u quajt “Himarë” d.m.th. lubi-qenie mitologjike, (Himara e lashtë). Studiuesja e mirënjohur Nermin Vlora (Falaski) përmend Muzeun Arkeologjik të Firences, veç të tjerash, ku është ekspozuar një kompozim monstri, një luan i ngërdheshur para sulmit. Bishti i tij është një gjarpër që në shtrirje përpara kap nga briri një dhi. Përbindëshi quhet në gjuhën e lashtë “Himera” (si legjenda që përmend Samiu).

Në muze, shpjegime të tilla janë me germa etruske, fjalët e të cilave shpjegohen vetëm me shqipen. Siç dihet, nga vendi i pellazgo-ilirëve në lindje të detit ku është dhe Himara, gadishullit italik i vajtën etruskët (“truri”, thonë studiuesit); Japiget, Mesapet (kujto Mesaplik). Në veprën e vet “De Bello civile” Jul Qesari shkruan se karshi, në bregun lindor të Jonit, është përballuar me fisin ilir Drimades (Dhri, hardhi thonë vendasit. Kujto Dhërminë aty). Qesari përmend aty “Palea-est” (kujto Palasen). Tek autorët antikë vihen re këto shënime për Paestet: “Ai vetë/Jul Qesari/u nis për në Iliri. Të nesërmen doli në breg/ndërmjet shkëmbinjve të maleve Keraune/dhe vendeve të tjera të rrezikshme/gjeti një gji të qetë…/zbarkoi ushtarët në atë vend që quhet Paleste/… çengelët i hodhi në rrezen e Palestës/(Palaga e sotme e Himarës).

 

 

 

 

 

Dr. Skënder Riza në gjurmimet e tij përmend studiuesin Villi Borgeand, i cili është i mendimit se filistinët (palestinët) kanë emër ilir, e se një numër i palestëve të Palasës së Himarës (Ilirisë), tërhiqen njëherë nga Palasa për në Kretë dhe prej Krete, në Azi të Vogël, ku krijojnë shtetin e fortë Palestinë. Kjo plotësohet nga arkeologu turk Erhan Alkyildiz, sipas gjurmimeve të të cilit hititet, në Azi të Vogël, qenë ilirë ballkanas.

Që Himara ka qenë një sovranitet arbërish fisnikë, e thotë poeti dhe dijetari ynë i madh De Rada, në veprën madhore të tij “Serafina Topia”. Aty ai, jo njëherë, Himarën e jep qendër princore. Në Himarë, në Scoutara, ai vendos ngjarjen e Milosaos si bir bujari, i atij vendi, me tërë toponimet që ka krahina. Dhe poemën “Milosao”, siç dihet, ia kushton kapedanit himariot Dhimitër Lekës. Vlen të përmendet një dokument i vitit 1744, i cili thotë se “shqiptarë të tjerë nga Epiri e Himara u vendosën në Italinë e Jugut pranë vëllezërve të tyre, të cilët e kishin bërë atdhe të ri e të përbashkët që nga koha e Skënderbeut e pas tij”.

Emri “Himara” del më 1385, kur u vra Balsha II në Luftën e Saves. E shoqja e tij, princesha Komita Muzaka mbretëroi në Vlorë, Sazan, Kaninë, Himarë, Pargë. (Këtë e përmend Barleti, libri 2, dhe Biemmi). Një dokument i vitit 1403 shkruan: “Albanenses chimaraes” (“Shqiptarët himarjotë”) “Banorët e Himarës janë popull albanes”, thotë dokumenti tjetër i vitit 1485. Historiani bizantin Laoniku, në librin 5 përmend se më 1434-1435 Arianit Komneni, sa u kthye nga Edreneja, u lidh me “krerët e Himarës” kundër sulltanit. Sulltani urdhëroi Ali pashë Evrenozin t’ia sjellë gjallë në Edrene. Gjergj Arianiti me lebërit (himarjotë), shpatarakët e çermenikasit, i theu, fitoi lavdi të madhe e habiti mbarë Evropën. Kur Kanina ra nën sundimin osman, sunduesja sovrane e vendit, Rugjina Balsha me 300 trima të zgjedhur, nga kalaja e Tragjasit erdhi në Himarë te vëllezërit arbër. Aty mbushi sheshin e anijes me dheun e vendit. Me të iku në Korfuz e, sipas amanetit, e mbuluan me atë dhe kur vdiq. Konica, me kulturë të gjerë arkivore, thotë: “Në Kuvendin e Lezhës 1444, i pari qe Arianiti, një princ i Shqipërisë së Jugut… Pas Arianitit, Tanush Topia, ish-princ i Himarës, shkoi në Lesh me një tok ushtarësh të shëndoshë”.

 

 

 

 

Biri i Skënderbeut, Gjoni 14 vjet pas vdekjes së të atit, që nga Italia kthehet me arbëreshë të çlirojë vendin prej osmanëve. Jo rastësisht, për zbarkim ai zgjodhi tokën e Himarës, pikërisht Palasën. Kjo qe trevë e shqiptarëve të shpërngulur si arbëreshë matanë detit, të cilët ktheheshin inatçorë të rifitonin trevat e rrëmbyera. Do të jetë Serembja më pas që do të shkruajë: “Arbëri që prapa detit na kujton/se ne të huaj jemi te ky dhe”… Domeniko Malipiere Pisko në librin “Anale”, shkruan: “Nën udhëheqjen e Kostandin Muzakës, “Lidhja Himariote” e Bregut dhe e Maleve u bashkua me Gjon Kastriotin; thyen dy mijë osmanët e parë “Himariotët zunë rob Beljerbeun e Rumelisë, Sulejman Pashë Eunukun dhe ia falën si dhuratë Kastriotit të ri. po atë vit, korrik 1492, vjen të hakmerret vetë Sulltan Bajaziti, i mbiquajtur Jalldrem (“Rrufeja”). Ngriti aty çadrën e vet perandorake. U mund. Vazhduan 11 vjet kacafytje me vendasit, sa u detyrua t’u japë privilegjet. Për këtë fushatë të sulltanit, thuhet në dokumentin osman të vitit 1492: “qenë nisur dy sanxhakbejlerë për t’u rënë arbërve të Himarës e të Sopotit” (kalaja e Borshit).

Udhëtari çek Jan H. Lobkovicasi më qershor 1493 kalon me det përballë Vlorës dhe shkruan për himariotët: “Njerëzit në atë vend janë zotër në punën e vet dhe s’duan t’i shtrohen kurrkujt. Veten e quajnë shqiptarë. Në vendin e tyre ka plot fshatra, bagëti, drithë, verë. Kam marrë vesh, gjithashtu, se s’hyn dot kush në krahinën e tyre, veç nëpër shtigje përmes shkëmbinjve të mëdhenj”. Barleti, vendin malor karshi Korfuzit, me banorë të pazaptueshëm, të vrazhdë e luftëtarë e quan “Himerotas”. Tok me malet, kjo hapësirë e gjerë thirret, siç thamë “Lidhja Himariote”. Përmbante rreth 53 fshatra (gjithsesi të lëvizshme) nga harku i detit, Kanina, Lumi i Vlorës, gjer në Tepelenë e Butrint. Në aktin zyrtar të Mikel Argiroit, më 1581 vihen 38 fshatra. Është logjike të nënkuptosh gjerësinë e krahinës nën emrin “Lidhja Himariote” dhe nga Letra që i dërgohet Papa Gregorit, më 13 shkurt 1581, ku vetë parësia i shkruan: Në tokë të Himarës brenda një dite mund të mblidhen nga fshatrat e krahinat e poshtëshënuara 10 mijë vetë, e brenda një jave 50 mijë. Kurse nga e gjithë Maqedonia 500 mijë vetë”. Ja një argument tjetër, nga dokumentet osmane, i vitit 1537, korrik, që, duke folur për ekspeditën e sulltanit, tregon hapësirën e Himarës: “Himariotët banonin ndër malet më të thepisura, nga të cilat disa herë dilnin kundër barbarëve, e pasi bënin kërdinë, ktheheshin në çerdhet e veta të pasuruar me plaçkë e skllevër. Armiqtë s’i arrinin dot, se himariotët kishin po atë shpejtësi si në dorën grabitëse, ashtu edhe në këmbën ikëse”. Dokumenti tjetër, thotë se osmanët prenë 800 kokë himariotësh në brigjet e Ilirisë Jugore.

 

 

 

 

Himarioti, gjatë kurbeteve, ushtrive, tregtive, deteve, shkollave, fesë e me radhë, mori në gjuhën e vet shumë fjalë të huaja, kryesisht greke. Po në gjuhën rrënjë të tij, sado të arnuar apo të tjetërsuar, mbeten fjalët e përdorimit më të përditshëm, fondamenti, që tregon etninë e vërtetë. Ato janë fjalët të paimportueshme, se kanë të bëjnë me tokën, toponiminë. Janë të patjetërsueshme lehtë, se i takojnë shpirtit njerëzor. Të parat e përditshme janë fjalë të tilla si – baba, tata, derëziu, çupa, nona, jeto, fatziu, rrënjëdali, i paudhë, xhano, nuse, vëlla, pëllumb, lule, u trashëgofshi…

Petro Marko, biri i Himarës dhe i gjithë Shqipërisë shkruan: “Propaganda është propagandë dhe historia histori… Krahina heroike e Himarës, domethënë Labëria e sotme, ka mbajtur në shekuj flamurin e lirisë dhe ka shkruar gjatë sundimit otoman faqe të shkëlqyera për historinë e popullit tonë… Në këto faqe bëjnë pjesë dhe shkollat e para shqipe në fshatrat e Himarës”./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Shqiptarët, një racë e rrallë; miq e armiq të turqve!”

‘Shqiptarët më 1904-ën’, si i përshkruante gazeta amerikane

Çmimi Kombëtar ‘’Lumo Skëndo’’

‘’Tregime të moçme shqiptare’’ nderohet me titull


Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB