MENU
klinika

“Motiv i kotë” studentor

MK: Milkani ambasador i filmit shqiptar

04.07.2019 - 12:21

Vetëm pak ditë pas medaljes akorduar nga amabasadori çek Ludva, Milkani vlerësohet edhe në Shqipëri. Një tjetër medalje mirënjohjeje iu dorëzua sot kineastit, nga ministrja e Kulturës. Gjatë ceremonisë, bashkëpunëtorët e tij nuk janë kursyer në vlerësimet jo vetëm për kineastin, por edhe për njeriun.

“Motivi i kotë”- ky është një nga realizimet e para kinematografike, që Piro Milkanin do të rikthenin pas, në vitet ’60-të, gjatë viteve studentore në Pragë. Emocionet e tij ishin të forta, teksa shikonte këtë prodhim kinematografik, sot në ceremoninë që u zhvillua në Ministrinë e Kulturës në nderim të tij, pas vlerësimit që mori në Çeki, si “Njeriu i përkushtuar”. Ministrja e Kulturës, së bashku me ambasadorin çek shprehën mirënjohjen e tyre, për kontributin, që kineasti shqiptar ka dhënë, duke kontribuar për Republikën Çeke, edhe veçanërisht për kinematografinë shqiptare.

 

 

 

 

“Jam shumë i lumtur që sot, në prani të personaliteteve të kulturës shqiptare, por edhe të ish- studentëve në Çeki, vlerësojmë një nga njerëzit më në zë të kinematografisë shqiptare, zotin Piro Milkani. Së fundmi, ai është dekoruar në Pragë, me dekoratën më të lartë “Njeriu i përkushtuar”, një vlerësim që bëhet rrallë në vendin tim, vetëm për ata njerëz të palodhur që kanë nderuar Republikën Çeke nëpër botë”, – shprehet ambasadori çek në Tiranë, Jaroslav Ludva.

Rreth 60 vite krijimtari artistike, rreth 20 filma, dokumentarë dhe filma me metrazh të shkurtër, si “Zonja nga qyteti”, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, apo “Trishtimi i zonjës Shnajder”, që ruhen si thesar në Arkivin e Filmit, do të bënin, që si rrallëherë edhe ministrja e Kulturës, ta vlerësonte me një medalje mirënjohjeje kineastin Milkani, si “Ambasador të filmit shqiptar”.

“Sot jemi këtu për të shprehur mirënjohjen për të gjithë krijimtarinë e Piro Milkanit. Është një nga ata artist, që nuk i ka humbur vlerat për shkak të sistemit. Është një intelektual i vërtetë. Pas nderimit në Pragë, me një çmim shumë prestigjioz, jemi të lumtur që sot, po i shprehim mirënjohjen tone po ashtu. Vlerësimet nuk janë individuale, nuk ka sesi edhe ne mos të ndihemi krenar që në një vend i vogël si ky i yni, nxjerr intelektual të tillë. “Falënderim, njeriut të zot”- është vlerësimi që Praga i ka veshur kineastit shqiptar. Milkani ka ditur jo thjeshtë të mbijetojë, por edhe të bëjë art kur censura e kufizonte një gjë të tillë. Ka ditur të bëjë njerëzit që të përjetojnë emocione të forta”, – ka thënë ministrja e Kulturës, Margariti, duke i dorëzuar edhe medaljen, si “Ambasador i filmit shqiptar”.

 

 

 

 

Për vetë kineastin, këto vlerësime marrin një vlerë të madhe dhe të veçantë, duke qenë se vijnë në një moment kur ai mendonte se krijimtaria e tij artistike kishte përfunduar.

“Nuk di se çfarë të them, por më kujtohet shprehja popullore, që “Po të erdhi e mira hapi dyert”, edhe ky vlerësim ka rëndësinë e vet, sepse ma jep ministrja ime e Kulturës”, – thotë kineasti Milkani.

Në projektet e ardhshme, ai do të jetë sërish pranë artdashësve në Panairin e Librit, në muajin nëntor, më një libër mbi kinematografinë.

“Këta vlerësime më obligojnë që të përkthej një libër për kinematografinë, që publikohet në nëntor, në Panairin e Librit”, – thotë Milkani.

Ndërsa, bashkëpunëtorët e një jete shprehin vlerësimin e tyre për Milkanin, kineast dhe njeri. Për piktorin Ksenofon Dilo, kontributi i Milkanit në kinematografi do të vlerësohet edhe nga brezat që do të vijnë, pasi ai ka punuar me shumë pasion, shpirt e përkushtim.

“Piro Milkanin e kam njohur si student në Pragë. Gjatë kohës i kisha parë disa punime të tij, por kur erdhëm në ish-Kinostudio, pas përfundimit të shkollës, u njohëm edhe më mirë. Unë kam bërë dekoret e disa filmave me Piron. Që nga koha kur ai punonte si operator, më pas “Ngadhënjim mbi vdekjen”, më tej “Çifti i lumtur”, “Përse bien këto daulle”, “Dasma” etj. E njoh mirë punën edhe mënyrën sesi punonte, ai dha gjithçka me shpirt për kinematografinë tonë, pavarësisht censurës. Edhe koha që është shumë selektive, do të ruajë shumë vlera të filmave që kemi bërë, se artistët kanë punuar me shpirt për të lënë diçka për popullin tonë. Ai ka lënë vlera të vërteta në artin kinematografik”.

 

 

 

 

Regjisori Saimir Kumbaro e cilëson Piro Milkanin një njeri xhentil, më shumë sesa duhet për shoqërinë shqiptare.

“Unë kam 50 vite që njihem me Piron. Fillimet e mia në kinema, kanë qenë me Piron: kam qenë shok, mik dhe vëlla. Kam mësuar shumë gjëra prej tij, ai është natyrë e butë edhe shumë i sjellshëm për shoqërinë shqiptare, por më vjen mirë, që po kujtohen të huajt për ta vlerësuar kontributin e tij në kinematografi, në ata filma, që dikush i do edhe dikush nuk i do”, – shprehet Kumbaro.

Kineasti shqiptar, para disa ditësh u vlerësua në Çeki me çmimin, “Njeriu i përkushtuar”, si një nga 14 kontribuesit më të rëndësishëm për afirmimin e vlerave kulturore çeke.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kristidhi: E ka dashuruar punën

Çekia nderon kineastin Piro Milkani


Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB