KPMG, një ndër 4 firmat më të mëdha të auditit në botë ka publikuar së fundmi edicionin e 5-të të “Raportit të indikatorëve të premisave të rritjes”, që është një renditje e 180 ekonomive të ndryshme të botës për nga potenciali i ekonomisë së tyre.
Indeksi i përgjithshëm përbëhet nga 5 shtylla kryesore: stabiliteti makro-ekonomik, kapitali njerëzor, infrastruktura, forca institucionale, si dhe gatishmëria për të kapur të tjerët.
Ndër 180 ekonomi të listuara nga KPMG, Shqipëria renditet në vendin e 84-të në botë, e parafundit në rajon, si dhe performuesja e tretë më e dobët në Europë, më mirë vetëm se Armenia dhe Bosnje Hercegovina.
Në raportin e vitit të kaluar ndërkohë, Shqipëria renditej dy pozicione më mirë, në vendin e 82-të në botë.
Me një pikëzim nga 1 në 10, secili ndër 5 kriteret kryesore merr një vlerësim, dhe Shqipëria notën më të lartë e merr në atë të zhvillimit njerëzor, me 6.67 pikë, shkruan scan.
Më pas ndjek stabiliteti makro-ekonomik me 4.96 pikë, ndërkohë që performanca më e dobët regjistrohet në drejtim të cilësisë së infrastrukturës, me 3.82 pikë.
Të pesë shtyllat, prodhojnë indeksin e përgjithshëm GPI, i cili për investitorët shihet si një guidë reference mjaft e saktë për vendimet e tyre afat-gjatë.
Për politikbërësit ndërkohë, ky indeks duhet të shërbejë si një dokument për të vlerësuar pikat më të dobëta të ekonomisë së vendit të tyre.
Në vend të parë në nivel global në këtë indeks renditet Zvicra, e ndjekur nga Holanda dhe Singapori.