MENU
klinika

Procedurat dhe tarifat

Si do të klasifikohen hotelet dhe resortet me 4 e 5 yjë në Shqipëri?

18.07.2019 - 14:21

Ministria e Turizmit ka miratuar rregulloren mbi procedurën e klasifikimit të strukturave akomoduese me 4 apo 5 yje që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe të njohur ndërkombëtarisht “Brand Name”.

Referuar urdhërit, sipërmarrësi për t’u bërë pjesë e procesit të klasifikimit duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:

a) të ketë investuar në ndërtimin e një strukture akomoduese sipas kritereve të strukturave akomoduese me 4 dhe 5 yje

b) të ketë lidhur kontratë të vlefshme, me një operator të strukturave akomoduese me 4 ose 5 yje, i cili është mbajtës i një marke tregtare të regjistruar dhe të njohur ndërkombëtarisht “brand name”.

Procedura e klasifikimit të strukturave akomoduese me 4 ose 5 yje i nënshtrohet tre fazave:

a) faza e parë përfshin procesin e vetëdeklarimit të sipërmarrësit turistik, i cili konsiston në plotësimin e formularit të vetëdeklarimit dhe dorëzimit të dokumentacionit përkatës

b) faza e dytë përfshin verifikimin në terren të të dhënave të vetëdeklarimit dhe përgatitjen e raportit të verifikimit, nga grupi i punës i ngritur me urdhër ministri;

c) faza e tretë përfshin shqyrtimin e dokumentacionit dhe raportit të verifikimit, nga Komisioni i Standardizimit të Veprimtarive Turistike.Komisioni i Standardizimit brenda 60 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës, formularit të vetëdeklarimit, dokumentacionit dhe pas hartimit të raportit të verifikimit, shqyrton dhe vlerëson dokumentet dhe të dhënat për përmbushjen e kritereve të kërkuara për klasifikimin e strukturës akomoduese.

Pas depozitimit të kërkesës nga ana e subjektit Komisioni i Standardizimit, brenda 3 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës, njofton grupin e punës të ngritur me urdhër ministri, për verifikimin në terren të përmbushjes së kritereve.

Procesi i verifikimit në terren të përmbushjes së kritereve nga sipërmarrësi turistik duhet të përfundojë brenda 20 ditëve nga data e njoftimit të Komisionit të Standardizimit.

Në përfundim të procesit të verifikimit, grupi i punës harton një raport përmbledhës për verifikimet e kryera dhe ia dorëzon Komisionit të Standardizimit brenda 5 ditëve nga data e përfundimit të procesit të verifikimit.

Në përfundim të procesit të shqyrtimit dhe vlerësimit Komisioni, sipas rastit merr vendim dhe ia përcjell Ministrit për miratim për:

a) lëshimin e certifikatës së klasifikimit e cila përcakton nivelin përkatës të strukturës akomoduese nëse është më 4 apo 5 yje;

b) refuzimin e kërkesës për certifikatë klasifikimi.

Komisioni, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së miratimit nga Ministri për përcaktimin e nivelit të klasifikimit, njofton aplikuesin për miratimin e certifikatës së klasifikimit.

Certifikata e klasifikimit nënshkruhet nga ministri dhe ka një vlefshmëri 4 vjeçare me të drejtë rinovimi.

Tarifat për klasifikimin e strukturave akomoduese

Referuar vendimit për hotelet tarifat variojnë nga 4.500 lekë deri në 100 mijë lekë që është tarifa maksimale për strukturë. Ndërsa për resortet, tarifa variojnë nga 4.500 lekë deri në 120 mijë lekë që është tarifa maksimale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Forcimi i kapitalit vendas

Dossier/ Si po shqiptarizohet tregu

40 prona u nxorrën në shitje

10 milionë USD pasuri krimi të sekestruara