Autoriteti i Konkurrencës kërkon rregullimin e tarifave me pakicë të telefonisë celulare për operatorët me pozitë dominuese. Përmes një pakete rekomandimesh për Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP),
Autoriteti i Konkurrencës vëren se tregu i shërbimeve celulare ka probleme që kërkojnë masa të reja rregullatore. Vendosja në rregullim e tregut të pakicës do të sillte kryesisht efekte për kompaninë Vodafone Albania, që ka dukshëm një pozitë dominuese në këtë treg.
Për vitin 2018, Vodafone zotëronte 54% të tregut sipas totalit të të ardhurave, 47% të tregut sipas numrit të përdoruesve aktivë, 52% të volumit të thirrjeve telefonike dalëse, 61% të mesazheve të shkruara dhe 55% të trafikut të internetit.
Shpallja operator me fuqi të ndjeshme në treg do ta bënte Vodafone subjekt të rregullimit të tarifave me pakicë nga AKEP.
Një tjetër rekomandim është që detyrimi i mos diferencimit për tarifat e thirrjeve brenda rrjetit dhe jashtë rrjetit të aplikohet vetëm për operatorët me dominancë në tregun e pakicës, shkruan Scan.
Rregullimi në këtë nivel do të bënte që detyrimi në fjalë të hiqej për Albtelecom Mobile, që nuk ka fuqi të ndjeshme në tregun me pakicë. Rrjedhimisht, ky operator do të ishte i lirë të aplikonte tarifa të ndryshme për thirrjet brenda dhe jashtë rrjetit.
Nga AKEP adresimin e problemit e diferencës së madhe që ekziston mes tarifave të paketave ofertë dhe tarifave standarde të shërbimeve celulare, që ngelen shumë të larta.
Autoriteti i Konkurrencës rekomandon gjithashtu marrjen e masave që operatorët dominantë të mos shfrytëzojnë të ardhurat nga trafiku ndërkombëtar për të subvencionuar tarifa kombëtare nën kosto.
Kjo do të nënkuptonte vendosjen nën rregullim nga AKEP të tarifave të terminimit ndërkombëtar.