MENU
klinika

Degë në rrethe, fokus azilkërkuesit

Krijohet AKPA, strukturë e re për punësimin

02.08.2019 - 14:59

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për krijimin dhe mënyrën e organizimit e të funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), si person juridik, publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për punësimin dhe zhvillimin e aftësive.

AKPA-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, sipas legjislacionit në fuqi.

AKPA-ja është tërësia e institucioneve administrative dhe ofruese të shërbimeve të punësimit, të vetëpunësimit dhe të arsimit e formimit profesional, pjesë integrale e sistemit të ministrisë përgjegjëse për punësimin dhe zhvillimin e aftësive.

Misioni i AKPA-së është të sigurojë përmbushjen e të drejtës së shtetasve shqiptarë, të huaj dhe pa shtetësi të huaj, që kanë përfituar statusin e refugjatit si dhe të azilkërkuesit në territorin e Republikës së Shqipërisë, për t’u trajtuar me shërbime dhe programe publike të punësimit, të vetëpunësimit dhe të kualifikimeve profesionale, me qëllim gjetjen e një pune të përshtatshme, brenda dhe jashtë vendit, si dhe ofrimin e këtyre shërbimeve.

struktura e punesimit ne Shqiperi
struktura e punesimit ne Shqiperi

AKPA-ja e shtrin veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ajo organizohet, si më poshtë vijon:

-Në nivel qendror, nëpërmjet drejtorisë qendrore;

-Në nivel rajonal, nëpërmjet drejtorive rajonale;

-Në nivel vendor, nëpërmjet zyrave vendore.

AKPA-ja do të drejtohet dhe përfaqësohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili organizon dhe drejton veprimtarinë e AKPA-së dhe përgjigjet përpara ministrit përgjegjës për punësimin dhe AFP-në.

Drejtoritë rajonale raportojnë te drejtori i Përgjithshëm i AKPA-së. Drejtoritë rajonale drejtohen nga drejtorët rajonalë.

Zyrat vendore janë të organizuara në nivel sektori dhe janë pjesë të strukturave të drejtorive rajonale.

Vendimi përcakton se Ministria e Financave dhe Ekonomisë që, brenda 1 (një) muaji hyrja në fuqi të këtij vendimi do të fillojë procedurën për propozimin e strukturës dhe të organikës së drejtorisë qendrore dhe rajonale/vendore të AKPA-së, të përgatisë strukturën dhe organikën e ofruesve të arsimit dhe formimit profesional dhe t’i miratojë ato pas miratimit të strukturës dhe të organikës së drejtorisë qendrore e drejtorive rajonale, të marrë masat dhe të kryejë veprimet e nevojshme për rishpërndarjen e mjediseve të punës ekzistuese të Shërbimit Kombëtar të Punësimit si dhe për fondet buxhetore të AKPA-së, për vitin 2019.