Për komisionerin e zgjerimit të BE, Johannes Hahn, Maqedonia Veriore dhe Shqipëria meritojnë hapjen e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian.
Gjatë një interviste për gazetën malazeze “Vijesti”, Hahn theksoi se Shkupi ka bërë përparim të rëndësishëm, duke veçuar marrëveshjen me Greqinë mbi çështjen e emrit. Kjo marrëveshje, tha ai, do të jetë objekt i librave të historisë.
Kur ai mori detyrën pesë vjet më parë, komisioneri në largim thotë se Maqedonia Veriore ishte në një krizë të thellë politike, ndërsa tani për Shkupin hapet një perspektivë e vërtetë evropiane, së bashku me tërë rajonin.
“BE do të vazhdojë të mbështesë udhëtimin e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian, i cili është në interes të Unionit”, theksoi ai.
Vendin e tij në krye të Komisionit për Negociatat e Zgjerimit dhe Fqinjësisë, do ta marrë hungarezi Laszlo Trocsanyi, emërimi përfundimtar i të cilit, si ai i të gjithë anëtarëve të tjerë të komisionit të ri të BE-së, duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian.