Borxhi publik i Shqipërisë aktualisht është shumë pak më i lartë se ai që ishte në vitin 2000.
Treguesi më i besueshëm i borxhit është raporti i tij me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) të një vendi, prej nga varet edhe aftësia paguese e detyrimeve. Kështu, në rast se në vitin 2000 PBB-ja ishte 523.1 miliardë lekë, tani ajo llogaritet në afro 1.8 trilion lekë.
Kështu, në fund të shtatorit 2019, sipas ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, raporti i borxhit publik me PBB-në është 62.23 për qind, ndërsa në fund të vitit 2000 ky raport ishte 61.11 për qind.
Raporti borxh/PBB
Po si ka ndryshuar në vite ky raport? Sipas statistikave kohore të Financave, në vitet 2000-2012 raporti borxh/PBB ka qenë rreth shifrës 60%.
Duke ndjekur një këshillë të ndërkombëtarëve (FMN dhe BB), Kuvendi miratoi vendosjen me ligj të një tavani prej 60 për qindësh për këtë raport.
Por, më pas e anuloi këtë masë, duke hequr tavanin dhe duke e lënë të lirë borxhin publik, për të mundësuar marrjen e kredive të kushtueshme nga banka private apo në tregjet e kapitaleve me Eurobond.
Kur në pushtet erdhi qeveria Rama, u mor një kredi e butë nga FMN në masën 333 milionë euro, por raporti Borxh/PBB do të kërcente në mbi 70 për qind.
Që prej atëhere, duke kufizuar shpenzimet dhe duke u përpjekur për të marrë sa më shumë të ardhura, qeveria ka mundur ta ulë shifrën, e cila, në fund të shtatorit të këtij viti, llogaritej në 62.23 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Shifrat aktuale
Shifra totale e borxhit është tani gati 1 trilion e 110 miliardë lekë, ekuivalenti i më shumë se 9 miliardë eurove, duke u rritur nga 1 trilion e 107 miliardë lekë, që ishte në fund të vitit të kaluar.
Në përputhje me një angazhim të hershëm të qeverisë, borxhi publik ka ardhur në ulje që pas vitit 2015, kur, si pasojë e detyrimeve të mëdha të prapambetura, ai arriti në nivelin maksimal prej 72.67 përqindësh, që ishte edhe “rekordi” negativ në këtë fushë.