Sipas të dhënave zyrtare të ardhura në Autoritetin e Aviacionit Civil nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, shifrat tregojnë një numër prej 340,282 pasagjerësh, të cilët kanë udhëtuar gjatë muajit Shtator dhe nga aeroporti i Rinasit, ‘’Nënë Tereza’’. Nga ky numër, rreth 49 mijë prej tyre janë pasagjerë të fluturimeve Charter.
Referuar të dhënave të raportit për muajin Shtator 2019, kompania Italiane “Blue Panorama” zotëron tregun me 16% të totalit dhe një numër prej 54,459 pasagjerë, pasuar nga Ernest Airlines me 15% të tregut me 49,504 pasagjerë. Fluturimet charter zotërojnë 14% të tregut për këtë muaj, por nëse llogarisim dhe numrin e pasagjerëve që pjesë fluturojnë me kompanisë Pegasus Airlines, e cila kryen fluturime charter drejt Antalyas, totali i numrit të pasagjerëve për fluturimet charter, rezulton edhe më i lartë, duke zotëruar kështu 15% të tregut me një shifër prej 52,019 pasagjerë.
Çfarë vëmë re lehtësisht në raport, është se kompanitë që fluturojnë drejt Italisë, si Air Albania, Albawings, Blue Panorama, Ernest, Alitalia, zotërojnë përqindjen më të madhe në tregun e transportit ajror për muajin Shtator 2019, me rreth 51% të totalit.
Krahasimisht me muajin shtator të një viti më parë, shifrat janë rritur pasi kompania shqiptare “Air Albania”, ka hyrë në treg me tre destinacione të reja. Nëse do të bënim krahasimin e tre viteve të fundit, trafiku ajror dhe fluksi i pasagjerëve këtë vit, gjatë Shtatorit ka një rritje prej 14% krahasuar me vitin e kaluar.
Nëse bëjmë një analizë të rritjes/rënies së fluksit të lëvizjes së pasagjerëve për muajin Shtator 2017-2018-2019, vëmë re se në vend të parë qëndron kompania Wizz Air, me 140%, krahasimisht me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pas saj vjen Lufthansa, e cila shënon rritje prej 89% të numrit të pasagjerëve krahasimisht me një vit më parë.
Në rritje janë edhe fluturimet Charter me 5%.