MENU
klinika

Pikënisja e turizmit blu

Shqipëria del nga harta e “bregdetit të minuar”

06.11.2019 - 11:17

Shqipëria doli jashtë hartave ndërkombëtare si “bregdet i minuar”.

Vendimi është bërë i ditur gjatë takimit që ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi me Drejtorin Ekzekutiv të Zyrës Hidrografike në Britaninë e Madhe, Admiralin Tim Lowe. Takimi, gjatë vizitës zyrtare të ministrit shqiptar në Londër.

Ministri Klosi informoi Admiralin Tim Lowe për nismën e Turizmit Blu në Shqipëri, zhvillimin e ekonomisë detare dhe hapat që Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit ka ndërmarrë për ta zhvilluar atë. Gjithashtu ministri Klosi përmendi rëndësinë e hartave detare dhe domosdoshmërinë e përditësimit të tyre. Informacioni që marrin lundruesit nga hartat detare është pikënisja e turizmit blu.

Admirali falenderoi ministrin Klosi për takimin dhe konfirmoi se shënimi “Formed mined zone” do të hiqet menjëherë nga hartat detare shqiptare që shpërndan Zyra e Hidrografisë së Britanisë së Madhe.

Admirali Lowe shprehu gjithashtu gatishmërinë në të ardhmen për asistencë në hartimin e hartave detare për turistët dhe bashkëpunimin në projekte të përbashkëta të cilat do të sjellin një informacion më të saktë dhe të detajuar për të gjitha mjetet lundruese turistike që do të vizitojnë Shqipërinë nga e gjithë bota.

“Patëm një takim jashtëzakonisht të suksesshëm me Admiralin Tim nga Admiraliati Qendror në Angli. Përfundimisht ne arritëm që në hartat e lundrimit të heqim zonën e minuar për bregdetin shqiptar. Që nga dita e sotme hartat do të jenë të pastra. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi pasur me Admiraliatin kjo hartë do të paraqitet ne te gjitha hartat e lundrimit të botës. Nga ky moment Shqipëria është një vend i sigurtë për të lundruar. Kjo është një ngjarje e madhe për turizmin blu dhe për të gjithë strategjinë tonë për hapjen e Shqipërisë për turizmin e marinave që po vjen me shumë shpejtësi në vendin tonë”, tha Klosi.

“Ashtu siç folëm me përfaqësues të lartë të Admiraliatit anglez ne do të kemi shumë mundësi që jo vetëm të pastrojmë problematikën e hartave, por të punojmë me ta, për të modernizuar skemën e teknikës detare dhe po ashtu të kemi mundësinë të krijojmë harta detare për të futur në katalogët e lundrimit botëror të cilët kanë një burim, Admiraliatin e Mbretërisë së Bashkuar që është edhe burimi zyrtar për këtë lloj informacioni. Ndaj është një nga ato ditët kur ndihem shumë mirë që ne në strategjinë tonë të turizmit arritëm një hap shumë të rëndësishëm. Tani kushdo mund ta shikojë Shqipërinë si një zonë të pastër dhe të paminuar”, përfundoi ministri Klosi.