Pas takimit me ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se “Reforma zgjedhore sipas vullnetit të qytetarëve përcakton cilësinë e demokracisë, jo fotot dhe shfaqjet mes kryetarit të qeverisë dhe të opozitës”.
I pyetur nga gazetarët nëse do të ulet në bisedime me kryeministrin Edi Rama, Basha tha se përgjigjen për këtë pyetje e kishte thënë shumë herë më parë, por tashmë fokusi i opozitës është të ndihmojë qytetarët.
“Kam kërkuar dhe dua të insistoj të kalohet nga fjalët dhe sjelljet e papranueshme ndaj medias të kalohet në vepra që janë detyrë e qeverisë.
Përgjigjen për këtë pyetje e keni marrë nja 10 herë. Energjia ime dhe e opozitës është ndihmojmë në çdo mënyrë njerëzit dhe jo të bëhemi pjesë e një shfaqje që po shton vuajtjet e njerëzve”, deklaroi Basha.