Në mbledhjen e sotme të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, Arben Ahmetaj, i zgjedhur kryetar i këtij Komiteti tha se së pari duhet të bëhet një program i cili përcakton prioritetet.
“Në studimin që unë i kam bërë përgjigjeve që i kanë bërë qeveritë fatkeqësive natyrore, do ishte mirë të ishte një buxhet dhe ky buxhet të formatohej si program më vete brenda buxhetit të shteti, por në aspektin teknik jo i përfshirë në aspektin e deficitit buxhetor, por si një zgjatje e buxhetit që fondet mund të trashëgohen vit pas viti dhe jo në finale ti ‘hajë’ deficiti se në finale janë para qytetarësh, donatorësh.
Institucioni i ngritur këtu është koordinues. Institucioni ekzekutues do jetë një institucion qeveritar, kë do caktoni ju, Fondin Shqiptar të Zhvillimit, Ministrinë e Infrastrukturës, kjo ju takon ju”– tha Ahmetaj.
Ai gjithashtu propozoi që Fondit Monetar Ndërkombëtar t’i propozohet me shkrim të marrë pjesë në fondin e fatkeqësisë natyrore.
“Pastaj donatorët e tjerë e përdorin FMN si pasqyrë transparence gjithashtu dhe për qeverinë shqiptare. Pastaj herë pas here, ditë për ditë nëpërmjet një aplikacioni apo nga çfarë do propozohet nga Këshilli Europian, t’i tregojmë të gjithëve atyre që duan të dinë, çfarë ndodh me x fond, me x program, sa u futën në shtëpi sot, e sa nesër.
Edhe ata që do ndërtojnë shtëpi, do duhet të koordinohen patjetër me qeverinë. Përderisa qeveria do ketë një program, është shumë e rëndësishme që të jenë në koordinim me qeverinë e Shqipërisë”– përfundoi Arben Ahmetaj.