MENU
klinika

"CEFTA Week 2019"/ Dritë jeshile për biznesin

Shkëmbimet tregtare që tejkaluan vlerën e 750 milion euro

18.12.2019 - 12:58

Ministria e Financave dhe Ekonomisë organizoi konferencën “CEFTA-Kthimi i Sfidave në Mundësi”, në kuadër eventit “CEFTA Week 2019” dhe në përmbyllje të kryesimit të CEFTA-s për këtë vit nga Shqipëria.

Në këtë konferencë merrnin pjesë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, Drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Genoveva Ruiz Cavalera, përfaqësues të qeverive dhe përfaqësues nga dhomat e tregtisë dhe industrisë të vendeve anëtare të CEFTA-s, etj.

Ministrja Denaj theksoi faktin se gjatë vitit 2019, Shqipëria, së bashku me palët anëtare në CEFTA, ka punuar intensivisht për realizimin e objektivave në lehtësimin e tregtisë, integrimin rajonal mes vendeve, duke synuar së pari në rritjen e zhvillimin ekonomik dhe përfitimeve direkte dhe indirekte për qytetarët.

“Ky është dhe një moment reflektimi për ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë dhe rajonalë, si dhe është një moment për të vlerësuar se çfarë ka funksionuar dhe çfarë duhet të funksionojë më mirë në të ardhmen”- u shpreh Denaj.

Synim final i marrëveshjes, tha ajo mbetet eleminimi i barrierave jo tarifore e më gjerë dhe materializimi i shkëmbimeve tregtare të rritura në vijueshmëri.

“Sot, rreth 25% e tregtisë së CEFTA-s është tregtia ndër-rajonale dhe rreth 75% për pjesën tjetër të botës, kryesisht me BE-në. Në fund të vitit që lamë pas, shkëmbimet tregtare vetëm midis Shqipërisë dhe palëve të CEFTA-s tejkaluan vlerën e 750 milion euro, mbi 300 milionë Euro në importe dhe 400 milion Euro në eksporte.

Trendi pozitiv i shkëmbimeve tregtare në vitet 2014-2018 ka pësuar një rritje të përvitshme mesatare në nivel prej 6%, ndërkohë që shifrat e 11 mujorit të 2019 reflektojnë potencial për tejkalimin e realizimit të viteve të shkuara”-deklaroi Denaj duke shtuar se ky është një sinjal pozitiv për të gjithë bizneset shqiptare dhe ato në vendet e rajonit.

Ajo shtoi se burimi kryesor për zhvillimin e ekonomive tona kombëtare dhe rajonale është komuniteti i biznesit me aftësinë dhe fleksibilitetin e tij për t’u përshtatur menjëherë me ndryshimet e marrëveshjeve ndërkombëtare apo rajonale dhe përmirësimet që sjellin këto ndryshime.

Sipas Ministres, dialogu konstruktiv mes palëve është kyç për të zgjidhur problematikat e hasura në marrëdhëniet ekonomike mes vendeve anëtare të CEFTA, kryesisht problematikat e lidhura me qarkullimin e mallrave, të cilat duhet të adresohen nëpërmjet tryezave të diskutimit dhe bashkëpunimit efektiv rajonal. Për zgjidhjen e problematikave, shtoi Denaj, është mjaft e rëndësishme edhe përfshira e sektorit privat në këto diskutime.

“Synim final i marrëveshjes mbetet eleminimi i barrierave jo tarifore e më gjerë dhe materializimi i shkëmbimeve tregtare të rritura në vijueshmëri. Kryesimi i CEFTA-s në vitin 2019 na ka angazhuar ne si Shqipëri për të realizuar një dialog bashkëpunimi intensiv, i cili ka realizuar disa suksese, por ka shumë punë për të bërë dhe nëse të gjithë do të fokusohemi në një bashkëpunim dhe dialog konstruktiv, jam i bindur se viti tjetër me kryesimin e Bosnje-Hercegovinës do të jetë edhe më i suksesshëm”– u shpreh Ministrja.

Drejtorja për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Genoveva Ruiz Cavalera, tha se bashkëpunimi mbetet faktor kyç në rrugën europiane të rajonit, bashkëpunim që vjen edhe si detyrim i Marrëveshjes së Stabilizim Asoccimit që çdo vend i rajonit ka me BE e në këtë drejtim, implementimi i CEFTA-s është një detyrim.

Cavalera vlerësoi arritjet e CEFTA-s për lehtësimin e tregtisë mes vendeve të rajonit dhe shprehu bindjen se ka akoma mundësi për progres të mëtejshëm në këtë drejtim, ndërsa vlerësoi edhe synimin e krijimin e një zonë ekonomike rajonale, duke e konsideruar thelbësor në zhvillimin e potencialit ekonomik të rajonit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Inspektimi përgjatë Lungmares në Vlorë

Denaj apel bizneseve: Respektoni ligjin!