MENU
klinika

Samiti i NATOS

A është Erdogan, kali i Trojës i Rusisë?

09.12.2019 - 18:08

NATO festoi 70-vjetorin në samitin në Londër. Takimi në 3-4 dhjetor tregoi pabarazinë e aleancës dhe nxori në pah përçarjet e konfliktet midis liderëve të shteteve anëtare më shumë se kurrë, bashkë me deklaratën me nëntë pika të publikuar pas samitit.

Para tij, Presidenti Francez Emmanuel Macron kishte thënë se NATO-s po “i vinte fundi”.

Erdogani kundërshtoi Macron, duke thënë se atij “i kishte ngordhur nervi”. Më e rëndësishmja, Turqia kërcënoi të pengonte një plan për të mbrojtur shtetet baltike dhe Poloninë nga sulmet ruse, nëse NATO nuk njihte Njësitë e Mbrojtjes Popullore të Sirisë Kurde (YPG) si një grup terrorist siç përcaktohet nga Ankaraja.

Ky ishte një shantazh i paparë në historinë e NATO-s.

Diplomacia e Erdogan ishte e dyfishtë: Të merrte miratimin e NATO-s për politikën e tij në verilindje të Sirisë dhe të kujdesej për shqetësimet e partnerit të tij më të afërt përveç Trump, Presidentit rus Vladimir Putin.

Por këto manovra nuk funksionuan në samitin e NATO-s. Ai u kthye në Ankara duarbosh.

Më pas, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha në Londër se Presidenti i Turqisë Rexhep Erdogan kishte tërhequr kërcënimin e tij për të refuzuar të mbështeste një plan të aleancës për të mbrojtur shtetet baltike të Letonisë, Lituanisë, Estonisë dhe Polonisë nga pushtimi i mundshëm nga Rusia.

Çfarë mori Erdogan në këmbim?

“Askush nuk kërkoi asgjë. Ne të gjithë falënderuam Presidentin Erdogan për solidaritetin e tij,” u tha Presidenti lituanez Gitanas Nauseda gazetarëve në Londër, pas një takimi midis Erdogan dhe udhëheqësve të Polonisë dhe Balltikut, raportoi New York Times.

Stoltenberg përsëriti në një konferencë shtypi pas samitit, se liderët e NATO-s nuk diskutuan për milicinë e YPG-së Siriane Kurde.

Gjatë samitit, Macron shkoi aq larg sa akuzoi homologun e tij turk për aleancën me Shtetin Islamik; kjo ishte një referencë për përfaqësuesit sirianë të Turqisë.

Çuditërisht, Erdogan, nuk iu përgjigj komenteve të ashpra të Macron. Media turke, si zakonisht e përshëndeti performancën e Erdoganit në Londër si një sukses të madh dhe nuk raportoi deklaratën e Macronit.

Ndërkohë, rusët priren ta shohin presidentin e Turqisë si “njeriun e tyre në NATO”.

Ajo që i ka frymëzuar rusët ta shohin Erdoganin si “njeriun e tyre në NATO” ishte vendimi i tij për të blerë sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400. Macron pyeti në Londër, “Si është e mundur të jesh anëtar i aleancës, të punosh me të gjithë ne, të blesh materialet tona, të jesh i integruar, dhe të blesh S-400 nga rusët? Teknikisht, nuk është e mundur.”

Metin Gurcan, në një vlerësim të fundit të Al-Monitor, tha se Ankaraja dukej se kishte tjetërsuar anëtarët e Balltikut dhe të Evropës Lindore të NATO-s, duke shkatërruar kohezionin e NATO-s.

Erdogan mund të mos ketë sukses në këtë përpjekje. Në Londër, ai kuptoi se nuk mund të arrijë asgjë me shantazhe.

Dhe këmbëngulja e tij për marrëveshjen S-400 dhe marrëdhëniet me Moskën duket se gjithnjë e më shumë konfirmojnë tezën se ai është një “kali i Trojës i Rusisë në NATO”, megjithëse ai nuk mundi të merrte atë që ai dëshiron.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


'Lista e dëshirave' të presidentit rus

Çfarë kërkon Putin nga Evropa dhe Amerika?

Problemet e brendshme të aleancës

Armiku më i madh i NATO-s është vetja…