Presidenti i Republikës Ilir Meta, priti sot në një takim ish-deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Ervin Salianji, për t’u njohur nga afër me shqetësimet e tij në lidhje me cenimin e procesit të rregullt ligjor në çështjen gjyqësore penale që po zhvillohet në ngarkim të tij.
Gjatë këtij takimi, Meta theksoi se mbron parimin kushtetues se kushdo që akuzohet penalisht, prezumohet i pafajshëm derisa në ngarkim të tij nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Kreu i Shtetit e inkurajoi Salianjin, që të mos humbasë besimin tek drejtësia dhe të vijojë të ndjekë të gjitha rrugët dhe mjetet procedurale ligjore në mbrojtje të të drejtave të tij. Presidenti Meta theksoi rëndësinë që procesi gjyqësor që ka nisur të zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe objektive.
Meta e garantoi Salianjin se do ta ndjekë me vëmendje të posaçme këtë çështje me sensibilitet të lartë publik, duke inkurajuar një gjykim shterues dhe transparent.