Bashkimi Evropian, dhe veçanërisht Gjermania, duhet të merren me sfidën e paraqitur nga tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga udhëheqja globale.
Por, duke pasur parasysh konkurrencën nga Kina, së bashku me ambiciet e reja të Rusisë, vendet perëndimore duhet të gjejnë një mënyrë për të bashkëpunuar më shumë.
Për këtë qëllim, pesë çështje duken shumë urgjente.
E para është marrëdhënia e Gjermanisë me SHBA.
Problemi është dështimi i Gjermanisë për të rritur shpenzimet vjetore të mbrojtjes, siç ra dakord në samitin e NATO-s në 2014 në Uells. Për disa arsye, Gjermania ka hezituar të bëhet fuqia ushtarake de fakto e Evropës.
Çështja e dytë janë marrëdhëniet SHBA-BE.
Sfidat e menjëhershme me të cilat përballen Amerika dhe Evropa kanë ndryshuar gjatë shtatë dekadave të fundit. Kohët e fundit, Rusia ka zgjeruar sferën e saj të ndikimit në Krime, Ukrainën lindore dhe Detin e Azovit, dhe Kina ka filluar të dominojë në çfarëdolloj fushe në Euroazi.
Në të njëjtën kohë, demokracitë perëndimore po përpiqen të merren me globalizimin, migracionin, teknologjinë dhe ndryshimin e klimës.
Pavarësisht retorikës populiste, globalizimi ekonomik në të vërtetë ka krijuar prosperitet dhe ka ulur varfërinë, dhe ka krijuar mundësi të reja zhvillimi në të gjithë botën. Por pa mbështetjen e Perëndimit, situata nuk do të vazhdojë kështu.
Kjo na çon tek sfida e tretë: Rusia.
Politika e ekuilibruar e BE-së ka krijuar disi konflikte brenda aleancës transatlantike, siç tregohet nga tensionet për Nord Stream 2, një projekt i përbashkët, tubacioni ruso-gjerman.
Çështja e katërt është Kina, e cila ka bërë të qartë se kërkon një ndryshim të balancës ndërkombëtare të pushtetit.
Administrata Trump sfidon Kinën në tregti. Nuk mund të ketë “tregti të ndershme” kur një vend që nuk luan me të njëjtat rregulla si të gjithë të tjerët përbën dy të pestat e ekonomisë globale.
Për më tepër, modeli i kapitalizmit shtetëror autoritar të Kinës paraqet një sfidë të dyfishtë, sepse përfaqëson konkurrencën ekonomike dhe një model politik alternativ. Pra, BE dhe Amerika urgjentisht duhet të hartojnë rregulla të qarta, për t’u marrë me Kinën.
Çështja e pestë është roli i Evropës në botë.
Nëse Evropa nuk “zgjohet” e nuk përballet me rivalitetin e ri Sino-Amerikan, ajo mund të gjendet në një pozitë aspak të favorshme gjeopolitike.
Në fakt, në shumë luftëra dhe konflikte, Evropa nuk luan asnjë rol të dukshëm në zgjidhjen e tyre.
Për disa arsye, BE ka qëndruar prej kohësh nën ombrellën e sigurisë së SHBA-së. Por ai konceptim gjeopolitik i Evropës është një artifakt Amerikan, i bazuar tek Plani Marshall.
Si sekretari i parë i përgjithshëm i NATO-s, Hastings Ismay, dikur tha se qëllimi i NATO-s ishte “të mbante rusët jashtë, amerikanët brenda dhe gjermanët poshtë”.
Shumëçka ka ndryshuar që nga vitet ’50. Sot, ne evropianët kemi filluar gradualisht të kuptojmë se duhet të përshtatemi me realitetet gjeopolitike të shekullit njëzet e një.
Epoka e Atlantikut po i hap rrugë epokës së Paqësorit.
Tani është koha që evropianët të gjejnë guximin dhe vullnetin për të marrë përgjegjësinë për interesat tona strategjike.
Sigmar Gabriel, ish-zëvendëskancelari dhe Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, është kryetar i Atlantik-Brücke.
Michael Hüther, Drejtor dhe Anëtar i Presidiumit të Institutit Ekonomik Gjerman, është nënkryetar i Atlantik-Brücke.
Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ konica.al