MENU
klinika

Nga The Guardian

Me lëvizjen e fundit, Trump po i huton të gjithë!

28.01.2020 - 16:10

Donald Trump do të zbulojë “planin e tij të paqes” të Lindjes së Mesme së bashku me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, të martën.

Presidenti amerikan tha të hënën se ai do të shpallë planin në mesditë. “Dhe është një plan shumë i madh,” tha Trump pas takimeve private me Netanyahu dhe kundërshtarin e tij zgjedhor, Benny Gantz, në Shtëpinë e Bardhë.

Kjo është interpretuar si një shpërqendrim ose zhvendosje e vëmendjes nga procesi gjyqësor, nga ana e Trump, dhe Netanyahu, i cili përballet me tre aktakuza për korrupsion penal dhe një fushatë zgjedhore.

“Netanyahu u përpoq të na shiste me idenë se nuk do të ishte me të vërtetë një shtet palestinez,” tha David Elhayani, një figurë e shquar e kolonëve, sipas gazetës Times of Israel.

Ai shtoi se plani përfshin stimuj të mëdhenj ekonomik për palestinezët.

Më parë gjatë ditës, Netanyahu tërhoqi një kërkesë për imunitet parlamentar nga akuzat.

Trump tha të hënën, gjatë një takimi me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Uashington, se plani i tij “ka shumë kuptim për secilin”.

“Palestinezët me siguri se nuk do ta duan fillimisht. Por, në fund do ta duan. Është shumë i mirë për ta”, tha Trump.

Kryeministri palestinez, Muhammad Shtayyeh, e cilësoi planin si “komplot për të likuiduar çështjen palestineze”.

Udhëheqësit palestinezë thonë se ata nuk janë ftuar në Uashington për prezantimin e “projektit të fshehtë të paqes” të presidentit Trump.

Ata druajnë se me këtë plan, SHBA-ja do ta njohë Bregun Perëndimor, të cilin ata e duan për shtetin e tyre të ardhshëm, si pjesë të Izraelit.

Bregu Perëndimor është pushtuar nga Izraeli në luftën arabo-izraelite në vitin 1967.

Përkthyer dhe përshtatur nga The Guardian