4 vjet pas çlirimit të kampit më të madh të shfarosjes naziste, më 27 janar 1945, filozofi gjerman Theodor Adorno tha: “Të shkruash poezi pas Aushvicit është barbare.”
Ai kishte idenë se një lloj heshtjeje ishte mbase e vetmja përgjigje e mundshme për tmerrin e Holokaustit.
Dëshmia e të mbijetuarit ka qenë gjithmonë shumë e rëndësishme në mbajtjen gjallë të kujtesës.
Guximi i atyre që kanë dëshmuar për vrasjen e 6 milion hebrenjve ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në luftën e shoqërive evropiane kundër virusit të antisemitizmit.
Por asaj epoke po i vjen fundi.
Gjatë pesë viteve të fundit, pothuajse gjysma e të mbijetuarve të mbetur kanë vdekur. Të hënën, rreth 120 të mbijetuar nga Holokausti nga e gjithë ishin pjesë e një ceremonie për të përkujtuar 75-vjetorin e ardhjes së Ushtrisë së Kuqe në portat e Aushvicit; ka të ngjarë të jetë mbledhja e fundit e këtij lloji në një përvjetor të rëndësishëm.
Por nevoja për të mbajtur mend dhe për të mos harruar mësimet e asaj që u bë Holokausti, sa vjen e po shtohet.
Një nacionalizëm mbrojtës, etnocentrik, po shfaqet kudo në Evropë. Raportet e incidenteve antisemitike janë në rritje dhe dallimi i gjuhës politike midis atyre që i përkasin kombit dhe atyre që nuk janë bërë më e zakonshme.
Ekziston një nevojë e ngutshme për të qenë vigjilentë lidhur me antisemitizmin, por edhe islamofobisë.
Kjo ditë përkujtimore e Holokaustit dhe ceremonia në Poloni, është me rëndësi të veçantë për shkak të zvogëlimit të numrit të të mbijetuarve dhe natyrës historike të datës.
Gjatë 75 viteve të fundit, të mbijetuarit kanë folur në shkolla dhe në universitete; brenda muzeve dhe parlamenteve.
Dhe ndihmuan që zjarri i ndërgjegjes të digjej në shpirtin e Evropës.
Një histori e vetme njerëzore, e thënë ballë për ballë, përçon tragjedinë e miliona njerëzve në një mënyrë që poezitë dhe fotografitë nuk mund ta bënte kurrë.
Filozofi spanjoll George Santayana tha për Holokaustin: “Ai që nuk mëson nga historia, është i dënuar ta përsërisë atë.” Ky mësim nuk duhet harruar.
Përkthyer dhe përshtatur nga The Guardian/ konica.al