MENU
klinika

Rriten rezervat, nga 1.2 ton në 2.5

Banka e Shqipërisë bleu 300 kg ar

20.02.2020 - 13:51

Pasi rriti rezervat e arit me 82% në 6 muaj, e pasi ndaloi hapin e blerjes në Nëntor të këtij viti, Banka e Shqipërisë ka rinisur sërish të blejë masivisht ar në muajin e fundit të vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare nga vetë banka, institucioni qendror i politikave monetare ka blerë në muajin dhjetor shufra ari në formë rezerve për një vlerë prej rreth 16 milionë euro, duke e çuar në total në 120 milionë euro rezervën në ar.

Gjatë Dhjetorit, Banka e Shqipërisë rezulton të ketë blerë rreth 300 kilogram ar, duke rritur me 15% rezervat. Në muajin janar të vitit të kaluar rezervat në ar ishte në 58 milionë euro. Kjo do të thotë se përgjatë të gjithë vitit të kaluar, rezervat në ar u rritën me 107%, pra më shumë se dyfishim i rezervave. Kjo rritje e ndjeshme e rezervave të jashtme në ar nga ana e Bankës së Shqipërisë është në linjë me tendencën globale.

Bankat qendrore në çdo cep të globit janë duke u ngutur të blejnë ar, pasi metali i verdhë cilësohet si një strehë e sigurtë në kohë pasigurish, trazirash gjeopolitike, konfliktesh, apo kërcënimesh të tjera. Mbetet për t’u parë nëse Banka e Shqipërisë do të vazhdojë operacionin e nisur që në muajin qershor të vitit të kaluar për të rritur ndjeshëm rezervat në ar. Sot Shqipëria ka rreth 2.5 ton ar rezerva. Ekzaktësisht 12 muaj më parë kishte vetëm 1.2 ton.