MENU
klinika

"Nëse sulmohet edhe një ushtar turk..."

Çështja e Sirisë/ Turqia kërkon mbështetjen e NATO-s

13.02.2020 - 22:41

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar i ka bërë thirrje NATO-s për mbështetje konkrete lidhur me çështjen e sulmeve të regjimit të Asadit në Idlib.

Akar në një deklaratë për Agjencinë e lajmeve Associated Press lidhur me Idlibin tha se e ka udhëzuar ushtrinë që të japë kundërpërgjigjen më të fuqishme nëse regjimi i Asadit ndërmerr ndonjë veprim kundër pikave të vëzhgimit ose pikave ushtarake.

“Do të ketë kundërpërgjigje nëse ndodh ndonjë gjë. Ne kemi thënë vazhdimisht se nuk do të tërheqim personelin dhe ushtarët tanë nga atje (nga pikat e vëzhgimit në Idlib)”, tha Akar.

Ai tha se Turqia nuk do të evakuojë asnjë prej 12 pikave të vëzhgimit në Idlib, duke paralajmëruar se ushtarët turq janë nën urdhërin për të dhënë kundërpërgjigje të fuqishme kundër sulmeve ndaj pikave ushtarake në Siri.

Ministri turk njoftoi se Turqia ka kryer presion mbi Rusinë që të përdorë ndikimin e saj mbi regjimin e Asadit, që sipas marrëveshjes së armëpushimit të arritur më parë, forcat e regjimit të tërhiqen dhe madje të largohen nga rruga tokësore me rëndësi strategjike (M5).

Ndërkohë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë të mërkurën se nëse sulmohet edhe një ushtar turk, ushtria e shtetit që ai udhëheq do të sulmojë forcat siriane të mbështetura nga Rusia, gjithandej nëpër Siri.

Erdogan ka thënë se Turqia është e vendosur që të largojë forcat siriane përtej zonave që mbikëqyrin trupat turke në provincën Idlib, andaj u ka bërë thirrje rebelëve sirianë që të mos u japin forcave qeveritare arsye për të sulmuar.

Dhuna ka shpërthyer në Idlib, javë më parë, pasi forcat qeveritare të përkrahura nga Rusia dhe Irani kanë zgjeruar fushatën e tyre për të fituar kontrollin e zonës së fundit që drejtohet nga rebelët në Siri.

Për pasojë, edhe Turqia, që është e lidhur me disa grupe rebele në Siri ka kryer sulme të martën, pasi 13 ushtarë turq janë vrarë në 10 ditët e fundit.

“Nëse u krijohet edhe plaga më e vogël ushtarëve tanë, unë po them sot se do të qëllojmë forcat e regjimit kudo që janë, pavarësisht kufijve të Idlibit dhe marrëveshjes së Soçit”, ka thënë Erdogan, duke iu referuar paktit për armëpushim të nënshkruar më 2018.

Qeveria Siriane në anën tjetër i ka përshkruar deklaratat e Erdoganit si “shkëputje nga realiteti”.

“Kreu i regjimit turk vjen me deklarata boshe, një person i shkëputuar nga realiteti”, ka thënë agjencia shtetërore e lajmeve SANA, duke cituar një burim të ministrisë së Jashtme.