MENU
klinika

Marrëveshja e Trumpit

Europa dështoi me Ballkanin! Amerikanët shfaqen sërish!

02.02.2020 - 15:41

As Rusia e as Kina nuk po e zenë boshllëkun që le BE-ja e dobësuar në Ballkan, por SHBA. Fusha më e rëndësishme e lojës është Kosova, ku Trumpi dëshiron patjetër një triumf në vitin zgjedhor, mendon Mappes-Niediek.

Po vijnë rusët! Kjo dëgjohej më shpesh, kur Bashkimi Europian në vjeshtën e kaluar me “Jo”-në e tij për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut lejoi t’i ikte nga dora leva më e rëndësishme në rajon, perspektiva e anëtarësimit. Kush do të shtyhej të futej në boshllëkun që po linin europianët? Disa tregonin me gisht edhe nga Kina. A nuk tregojnë kinezët prej vitesh interes edhe për Ballkanin me tentativën e tyre për të zënë vend në Europë ekonomikisht dhe politikisht? Po ashtu si sekret konsiderohej edhe Turqia, një fuqi rajonale. Por realisht vendin e europianëve po e zë një fuqi, me të cilën europianët nuk kishin llogaritur: SHBA.

Dy të ngarkuar të posaçëm emëroi Uashingtoni në muajt e fundit për një rajon, për të cilin mendohej, se prej kohësh e kishte humbur interesin. Që atëherë rajoni i lodhur ballkanik është kthyer edhe në një fushë loje të politikës së jashtme trumpiane. “Deals” – marrëveshje kërkon të lidhë presidenti amerikan, kjo është doktrina e tij: Në çdo konflikt në botë grindavecët, shpesh “burrat e fortë”, duhet të bien në ujdi, sipas përfytyrimit të tij. Dhe nuk kanë nevojë të vrasin mendjen për rregulla ndërkombëtare, ujdi të mëparshme, të drejtën ndërkombëtare, interesat e të tretëve. Me këtë strategji, Trump nuk ka pasur sukses në ndonjë cep të botës. Por Ballkani, kështu ndoshta mendojnë në Shtëpinë e Bardhë, mund të jetë një shesh i mirëpritur për të ushtruar. Aktorët aty janë të dobët, dhe kanë një respekt të paimagjinueshëm për Amerikën.

SHBA dhe Kosova

Ende pa u emëruar mirë, i ngarkuari i Trumpit, ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell filloi me diplomacinë e fortë: Në Kosovë duhet një “burrë i fortë” sipas modelit të Trumpit, i bie të jetë Hashim Thaçi, që të marrë sërish stafetën në dorë. Që partia e tij në zgjedhjet e fundit në tetor dështoi dhe Thaçi vetë është një figurë jo e dashur në Kosovë, nuk prish asnjë punë për Shtëpinë e Bardhë. Nëse SHBA kanë fituar plotësisht në Kosovë, këtë do ta tregojë e hëna, kur fituesi i zgjedhjeve parlamentare para katër muajsh të dalë në parlament. Amerikanët nuk e duan atë, dhe në vend të kësaj punojnë për një koalicion disapalësh, të pasigurtë, kundrejt të cilit, Thaçi nuk e ka të vështirë. Që janë ambasadorët e huaj, ata që vendosin kush vjen e kush nuk vjen në qeveri, me këtë janë mësuar kosovarët. Nga 45% që shkojnë në zgjedhje, gati një e treta e bën për të ruajtur punën: humb partia në sajë të cilës e ke postin, të ikën puna.

Kosova dhe Serbia duhet të këmbejnë territore, ato të populluara me shqiptarë në Serbi kundrejt atyre me serbë në Kosovë. Ky është “deal”-i që Thaçi dhe presidenti serb, Vuçiç do të arrinin me dëshirë me njëri-tjetrin. Vetëm në shikim të parë këmbimi i territoreve do të ishte një zgjidhje për çështjen ende të hapur të Kosovës. Të gjitha përvojat me krijimin e gjoja “zgjidhjeve të pastra” në Ballkan janë për t’i pasur frikë: Kur popullata e një vendi është mjaftueshëm “e pastër”, liderët autoritarë nga të dyja krahët e pakicave nuk kanë nevojë të kujdesen më për ta e sidomos për fuqitë që i mbrojnë ato. Ata mund të ndjehen zotërinj në shtëpitë e tyte dhe mund të bëjnë e të lënë çfarë të duan.

Në Kosovë nuk ka simpati për “deal”, dhe as për politikanë autoritarë e diktimin nga të huaj. Por nëse kjo antipati mjafton për t’i rezistuar joshjeve dhe kërcënimeve nga Uashingtoni, për këtë mund të dyshohet. Edhe nëse Albin Kurti, i njohur si rebel, bëhet kryetar i qeverisë kundër vullnetit të SHBA, presioni nga SHBA do të mbetet. Europianët që dominojnë ekonomikisht nuk ndihmojnë dot. Ishin madje politikanë nga parti të ndryshme, që papritur menduan, se do shkruanin histori, dhe e sollën në skenën ndërkombëtare një këmbim fatal territoresh mes Thaçit dhe Vuçiçit: Një president liberal nga Franca, një i gjelbër nga Austria, një kryetar komisioni konservator nga Luksemburgu dhe një e ngarkuar socialdemokrate nga Italia – për tmerr të gjermanëve dhe britanikëve, dhe diplomatëve të tyre dhe të gjithë atyre që e njohin rajonin.

Dështimi rishtazi i Europës

Europa ka dështuar sërish në Ballkan dhe sërish janë amerikanët ata që hyjnë në këtë vakuum – si atëherë në luftën e Bosnjes dhe dy herë në Kosovë. Lajmi i mirë ky nuk është, nëse sheh rezultatet: Bosnja është deri më sot e ndarë, Serbia është një kandidate e lëkundur që luan me Europën, Putinin dhe të tjerët që duan të kenë influencë në Ballkan. Kosova është një protektorat fuqish, që nuk e durojnë njëra-tjetrën. Interesi që e drejton SHBA të le të mendosh më keq: Presidenti amerikan kërkon në vitin zgjedhor një triumf në politikën e jashtme dhe e përdor këtë rast të dobësojë edhe më shumë BE-në, për të cilën ai nuk ka ndonjë respekt. Që nga “Jo”-ja për hapin tjetër të zgjerimit, europianët qëndrojnë të pafuqishëm në anë të fushës së ndeshjes. Nëse grinden apo jo aty ku janë, kjo nuk luan më rol për Ballkanin.

Norbert Mappes-Niediek është analist gjerman, që shkruan për disa gazeta gjermane mbi zhvillimet në Europën Juglindore.

Nga Deutsche Welle