Sot në Bruksel do të zhvillohet Konferenca e Donatorëve, ku Shqipëria shpreson te një solidaritet, jo vetëm simbolik, por të ndihmuar në rindërtimin pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit të vitit të kaluar. Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar një ditë të madhe për shqiptarët.
Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj u shpreh se ndihma që presin është rreth 450 milionë euro. Nga Brukseli, ku ndodhej për takimin jo zyrtar mbrëmjen e djeshme me fokus metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së, Rama u shpreh optimist se do të marrë një ndihmë të madhe për të mos e përballuar të vetëm faturën e madhe të rindërtimit.
“Po kështu, për ne, Shqipërinë, nesër (sot) është dita e madhe, sepse kemi konferencën e donatorëve për përballimin e situatës pas tërmetit dhe po shpresoj shumë se do të gjejmë mjaftueshëm solidaritet e mbështetje për të ecur përpara me rindërtimin”, tha Rama. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca shkruante dje se cdo gjë është gati për Konferencën e Donatorëve dhe beson se ndërkombëtarët do të tregojnë solidaritet me Shqipërinë. Programin për Konferencën e Donatorëve që do të zhvillohet sot duke filluar nga ora 14:30 e zbuloi zëdhënësja e KE-së.
“Presidentja e Komisionit Europian do të hapë konferencën së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe presidentin e Këshillit Europian Charles Michel në 14:30. Komisioneri për Zgjerimin Olivér Várhelyi do të hapë dhe mbyllë sesionin e angazhimeve të donatorëve në këtë konferencë, ndërkohë që komisioneri Janez Lenarčič do të bëjë vlerësimin e nevojave lidhur me dëmet e tërmetit. Në përfundim të konferencës së donatorëve, presidentja Von der Leyen dhe kryeministri Edi Rama do të mbajnë një konferencë për shtyp” tha zëdhënësja. Holanda zyrtarizoi para tre ditësh ndihmën 3 milionë euro për Shqipërinë, por dëmet llogariten 980 milionë euro, teksa rindërtimi kërkon rreth 1.08 mld euro.
Në orën 14:30 do të fillojë Konferenca e Donatorëve për Shqipërisë, ndërsa kryeministri Edi Rama ka mbërritur rreth orës 14:00 në Komisionin Europian duke firmosur marrëveshjen me Presidenten e KE-së Von der Leyen për 15 milionët eurot që akordoi për dëmet pas tërmetit tragjik.
Ora: 15:24- Konferenca e donatorëve/ Von Der Leyen: E gjithë bota u solidarizua!
Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen teksa deklaroi se Bashkimi Europian do të japë 100 milion euro nga buxheti i saj për projektin e rindërtimit, dha mesazhe të forta për shqiptarët.
Gjatë fjalës së saj në Konferencën e Donatorëve, Ursula Von der Leyen pohoi se BE është sot me shqiptarët, ndërsa theksoi se e gjithë bota u solidarizua me atë çka përjetoi Shqipëria më 26 nëntor, ku humbën jetën 51 persona dhe qindra të tjerë mbetën pa banesa. Ajo tha se tashmë Shqipërisë i duhet ndihma për të rifilluar nga e para.
“Populli i Shqipërisë e ka vendin në BE. Sot me këtë pjesëmarrje mbresëlënëse tregoni reagimin e fortë ndaj thirrjes së Shqipërisë. E gjithë bota është mobilizuar në mbështetje tuaj. Nga Turqia, deri në Zvicër, e SHBA. Ne kemi parë ekipe shpëtimi serbe dhe kosovare. E kemi parë këtë përtej ndarjes politike. Solidariteti mund të shpëtojë jetë. Në fakt solidariteti ka shpëtuar shumë jetë në Shqipëri. Nevojat e Shqipërisë janë shumë të mëdha. Kostoja e rindërtimit është vlerësuar me 1 miliard euro. Është e qartë se Shqipëria e vetme se përballon dot këtë barrë, ndaj jemi mbledhur këtu. Sot i premtojmë popullit shqiptar se jemi aty për një kohë të gjatë. Solidariteti jonë do jetë i fortë dhe angazhohemi për rindërtimin ën vazhdimësi. Askush nuk mund ta ndjejë boshllëkun e atyre që kanë humbur jetën, por mund të ndihmojmë Shqipërinë që të rifilloje nga e para. Së bashku mund ta bëjmë vendin tuaj më të fortë. 100 milion euro nga buxheti i BE, (përveç 50 milionëshit të parë). Ju ftoj të gjithëve që të ndihmoni Shqipërinë, që të ngrihet në këmbë shpejt. Pas tërmetit shqiptarët kanë treguar se nuk janë vetëm një popull krenar, por kanë një zemër të madhe.
Sot jemi në anën e Shqipërisë, në një moment nevoje. Shqipëria do të ngrihet më e fortë dhe më e sigurt në zemër të familjes sonë evropiane dhe unë mbështetem te ju për këtë gjë.”, tha Von Der Leyen.
Ora/15:43 -“Dua vetëm një shtëpi”! Lotët e shqiptarëve “kumbojnë” në Konferencën e Donatorëve
Po zhvillohet sot në Bruksel Konferenca e Donatorëve për Shqipërinë, e cila u godit nga një tërmet shkatërrimtar më 26 nëntor 2019, që la pas 51 viktima, të plagosur dhe mijëra ndërtesa të rrënuara.
Pas fjalës së kryeministrit Edi Rama, në monitor është shfaqur një video e tërmetit tronditës, që tregoi pamjet rrëqethëse të Durrësit dhe Tiranës, ditën e tërmetit. Zyrtarë të lartë nga 100 shtete, që janë pjesëmarrëse në Konferencën e Donatorëve, panë nga afër pasojat katastrofike të tërmetit, si dhe dëgjuan lotët e shqiptarëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, të cilët kërkojnë një shtëpi, pasi 26 nëntorin e gdhinë në qiell të hapur.
Në fjalën e tij në konferencën e donatorëve për Shqipërinë, kryeministri Edi Rama zgjodhi ta nisë më nje fjalë, ‘Faleminderit’, thënë në gjuhë të ndryshme, si mirënjohje për vendet që iu përgjigjën vendit tonë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.
“Jam thellësisht i prekur, dhe dua ta nis duke thënë shumë thjesht, “Faleminderit” do të thoja faleminderit në të gjitha gjuhët. Faleminderit nga thellësia e zemrës, flas këtu nga zemra e të gjithë shqiptarëve: Ju lutem na mbështetni më tej. Faleminderit që pranuat ftesën e presidentes së Komisionit Eropian, po ju lutem na ndihmoni ndërsa përpiqemi të rimëkëmbeni, nga goditja e pamëshirme që na goditi. Na treguat prej momentit të parë, frymën e BE, të këtij organizmi që ka bërë kaq shumë, për të çuar para paqen e prosperitetin.
Ju patët vetë tërmetin tuaj me Brexit, dhe isha kaq i trishtë, dhe sa çudi ishte unë nga një vend i vogël, kërkojmë të hyjmë në BE, ndërsa Britania një vend i madh del jashtë. Do isha i lumtur sikur flamuri shqiptar, të ngrihej të zëvendësojë flamurin britanik, por nuk do ta bëj këtë. Sic ndodh një këngë e John Lenon ‘Jeta të ndodh’, ndërsa bën plane të tjera. në fakt ishim të zënë me plane, por toka u trondit e prej atij momenti gjithçka është përqëndruar te ai moment.
Ora/ 17:26 – Vijon Konferenca e Donatorëve, ja sa kanë dhuruar shtet për rindërtimin në Shqipëri
Është zhvilluar ditën e sotme Konferenca e Donatorëve në ndihmë të Shqipërisë për pasojat e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.
Me pjesëmarjen e shteteve të Bashkimit Europian por jo vetëm dhe solidarizimin e madh të tyre duket kontribuar kështu në ndihmë të procesit të rindërtimit.
Vijojnë të mblidhen të ardhura për këtë process në Shqipëri.
Më poshtë do të keni një listë të shteteve të cilat kanë kontribuar dhe shumën përkatëse që kanë dhënë.
- Ambasada e Suedisë në Tiranë njofton se Suedia ka vendosur të dhurojë 5.6 milionë euro për Shqipërinë.
Gjithashtu, ambasada njofton se ministri i Suedisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim Peter Eriks Sonmp është në Bruksel, pjesëmarrës në Konferencën e Donatorëve për Shqipërinë.
- Gjermania ka vendosur të dhurojë 11 milionë euro për rindërtimin në Shqipëri, pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit 2019.
Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, gjatë fjalës së tij në Konferencën e Donatorëve, që po zhvillohet sot në Bruksel.
- Italia dhuron një shumë të madh për procesin e rindërtimit në Shqipëri.
Fqinjët kanë dhuruar plot 65 milionë euro për të ndihmuar popullin shqiptar, që sipas ministrit të jashtëm italian, t’iu rikthehen ëndrrave të tyre.
- Franca ka vendosur t’i dhurojë Shqipërisë 100 milionë euro për procesin e rindërtimit, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të 2019.
Lajmi është bërë i ditur në Konferencën e Donatorëve, e cila po zhvillohet sot në Bruksel, ku janë të pranishëm 100 vende.
- Danimarka dhe Polonia do të kontribuojnë me nga 2.7 milion euro për procesin e rindërtimit në Shqipëri.
Donacionet janë bërë të ditura nga ministrat danezë dhe polonezë të pranishëm në Konferencën e Donatorëve në Bruksel.
- Greqia do të japë si donacion 2.5 milion euro dhe zotohet të ndërtojë 200 shtëpi në Shqipëri.
Ishte ministri grek i cili bëri të ditur shifrën gjatë Konferencës së Donatorëve.
Greqia ishte një ndër të parat vende e cila ndihmoi Shqipërinë gjatë tërmetit të 26 nëntorit me emergjenca civile dhe trupa kërkim- shpëtimi. Shifra që ajo jep është e ulët në krahasim me atë që ofroi Italia por ajo do të ndërtojë 200 shtëpi.
7. Finlanda ka dhuruar për Shqipërinë 300 mijë euro
8. Holanda 3 milionë euro
9. Sllovakia 250 mijë euro
10. Hungaria ka dhuruar për procesin e rindërtimit në Shqipëri 500 mijë euro dhe 200 mijë euro prej tyre shkojë për rindërtimin e kishave dhe mirë mbajtjen e tyre pas pasoave që la tërmeti i 26 nëntorit.
11. Austria ka dhuruar për Shqipërinë 1 milon euro
12. Luksenburg ka dhurur për Shqipërinë 150 mijë euro
13. Mali i Zi ka kontribuar me 500 mijë euro
14. Bullgaria ka dhuruar 100 mijë euro
15. Serbia ka dhuruar për procesin e rindërtimit 2 milion euro
Ora: 17;41- Banka Botërore i jep Shqipërisë 160 milion euro hua, EIB: Grant 2.5 milion euro dhe hua për rindërtimin, bizneset dhe strehimin
Banka Botërore do t’i japë Shqipërisë një hua prej 160 milion eurosh për rindërtimin, nga të cilat 6 milion euro projektet e spitaleve apo dhe 6 milion të tjera nga BERZH mobiljet e spitaleve. Ndërsa Banka Europiane e Investimeve EIB ka dhënë një grant 2.5 milion euro kurse huaja thotë se mund të shkojë deri në 100 milion euro për rindërtimin, bizneset e dëmtuara si dhe për strehimin e banorëve të prekur nga tërmeti. Por EIB bën me dije se kjo hua të jepet vetëm atëhere kur të parashihen projektet dhe të jenë të pranueshme për një hua nga Banka Europiane e Investimeve.
Ora/ 18:00 – UNICEF: 500 mijë euro për institucionet arsimore në Shqipëri
Organizata ndërkombëtare UNICEF ka dhënë një grant prej 500 mijë eurosh në Shqipëri. Anëtari i UNICEF në sallën e Konferencës së Donatorëve në Bruksel deklaroi se organizata ishte e pranishme për të ndihmuar në Shqipëri që në fillim të fatkeqësisë por duke përmendur arsimin si sektorin e dytë më të prekur nga tërmeti tha se 500 mijë eurot do të shkonin për institucionet arsimore të dëmtuara.
”Dhamë që në fillim të fatkeqësisë që njerëzit të ndiheshin shumë mirë. Dhamë ndihma për arsimin që ishte i dyti më i prekur. 500 mijë euro grant për institucionet arsimore të dëmtuara nga tërmeti në Shqipëri.”- tha përfaqësuesi i UNICE.
Ora: 18:15 – Konferenca e Donatorëve, reagon Meta: Shpreh mirënjohjen e thellë…
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, përshëndet Konferencën e Donatorëve, që po zhvillohet sot në Bruksel, në ndihmë të Shqipërisë, për procesin e rindërtimit pas tërmetit katastrofik të 26 nëntorit 2019.
“Përshëndes Konferencën e Donatorëve që po zhvillohet në Bruksel, në mbështetje të Shqipërisë, për kapërcimin e pasojave të tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar, e njëkohësisht shpreh mirënjohjen e thellë për solidaritetin dhe kontributin e vendeve pjesëmarrëse dhe kontribuese”, shkruan Meta.
Ora:18:27 – Rekord! Kalohen të gjitha pritshmëritë, Konferenca e Donatorëve mbledh 1.15 miliardë euro për Shqipërinë
Konferenca e Donatorëve ka mbledhur një shumë marramendëse për procesin e rindërtimit në Shqipëri, duke kaluar të gjitha pritshmëritë. Kështu, janë mbledhur në Bruksel plot 1.15 miliardë euro, duke thyer një rekord, pasi dëmet e tërmetit katastrofik të 26 nëntorit të 2019 arrinin në rreth 1 miliard euro.