Kredia për blerjen e banesave në kryeqytet arriti në 80 miliardë lekë ose 655 milionë euro vitin e kaluar. Sipas scan, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se financimi i blerjes së pronave në kryeqytet u rrit me ritme të kënaqshme gjatë vitit të kaluar.
Që nga fillimi i vitit, portofoli i kredisë u rrit me 6 miliardë lekë ose rreth 50 milionë euro. Kredia bankare ka qenë një ndër faktorët kryesorë në mbështetjen dhe gjallërimin e tregut të pasurive të paluajtshme në kryeqytet.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, interesi mesatar i kredive për blerje banesash, si për lekun, ashtu edhe për euron, ishte pranë nivelit 3.3%.
Kryeqyteti ngelet tregu kryesor i investimit në pasuri të paluajtshme, siç dëshmon edhe shpërndarja e huasë bankare. Qarku i Tiranës zë pothuajse 70% të kredive për blerje banesash të dhëna nga sistemi bankar shqiptar.