Ndryshimet ligjore të vitit të kaluar kanë sjellë rritje të ndjeshme të numrit të llogarive bankare të biznesit. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2019 numri i llogarive të bizneseve rezidente në bankat tregtare arriti në 225 mijë, afro 20% më shumë krahasuar me fundin e vitit 2018.
Në numër, bëhet fjalë për 36 mijë llogari bankare më shumë. Në korrik të vitit 2019 hyri në fuqi ligji i ndryshuar për procedurat tatimore, që detyronte të gjitha bizneset e regjistruara në skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar të hapnin llogari bankare.
Të dhënat më të fundit për numrin e bizneseve aktive në Shqipëri i takojnë fundit të vitit 2018, kur Instituti i Statistikave raportonte rreth 163 mijë biznese aktive. Po të zbresim rreth 41 mijë ishin fermerë, numri i ndërmarrjeve tregtare jo-bujqësore rezultonte rreth 122 mijë.
Mbështetur në këto shifra, raporti i llogarive për biznes rezulton rreth 1.85. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se të gjitha bizneset në vend kanë llogari bankare. Numri më i madh i llogarive krahasuar me atë të bizneseve shpjegohet natyrisht me faktin që bizneset e përmasave të mesme dhe të mëdha kanë disa llogari bankare, zakonisht në banka dhe në valuta të ndryshme.
Edhe me ndryshimet ligjore të vitit të kaluar, jo të gjithë bizneset janë detyruar të kenë llogari bankare. Nga dy detyrim përjashtohen bizneset me xhiro deri në dy milionë lekë, që nuk përfshihen në skemën e TVSH-së. Poshtë këtij tavani, ndodhen shumica e mikrobizneseve të shërbimeve.