Presidenti francez, Emmanuel Macron, mbështet një strategji më të koordinuar të mbrojtjes së Bashkimit Evropian, në të cilën Franca – fuqia e vetme bërthamore e bllokut – do të mbante një rol qendror.
Duke iu drejtuar oficerëve ushtarakë që u diplomuan në Paris, Macron theksoi se Franca i konsideron armët bërthamore të vendit, si një pengesë kundër sulmeve nga armiqtë, megjithëse ai e pranoi se mundësia bërthamore e Francës është zvogëluar, pasi ushtria e saj u ka ulur arsenalin e saj nën 300 armë bërthamore. Në këtë fazë, Macron nuk ka pranuar të nënshkruajë ndonjë traktat për të ulur më tej arsenalin francez. Ai ka njoftuar një rritje të shpenzimeve ushtarake dhe e ka pozicionuar vendin e tij, si një forcë lëvizëse për një BE të bashkuar, raporton Rel.
“Evropianët duhet të kuptojnë, se në mungesë të një kornize ligjore, ata mund të gjenden shpejt të ekspozuar ndaj rifillimit të një gare bërthamore, në tokën e tyre”, paralajmëroi Macron.
Ideja kryesore në fjalimin e tij, ishte ajo e një politikë më të koordinuar të mbrojtjes evropiane. Macron tha se strategjia e bashkuar do të parandalonte që Evropa të “kufizohet në një rol spektatori”, në një mjedis të dominuar nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Kina.
Vitin e kaluar, Rusia dhe SHBA-ja u tërhoqën nga një traktat i Forcave Bërthamore (INF) – që datonte nga epoka e Bashkimit Sovjetik. Uashingtoni dhe Moska shkëmbyen akuza për dështimin e paktit. Duke evokuar përçarjen rreth këtij pakti, Macron tha se ai dëshironte që evropianët të propozojnë së bashku “agjendën e tyre ndërkombëtare të kontrollit të armëve”.
Pas largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, Franca mbetet vendi i vetëm i bllokut që posedon armë bërthamore.