Shifrat e vitit 2019 për tregtinë e jashtme nxjerrin në pah të dhëna mjaft intersante për sektorë të ndryshëm. Një ndër ta është edhe ai i produkteve të peshkut. Edhe pse në 2019-ën importi i këtyre produkteve ka rënë lehtë krahasuar me vitin paraardhës, shifrat tregojnë se në 5 vitet e fundit importi është dyfishuar, në sasi, ndërkohë që në vlerë rritja është mbi 2 herë.
Por cilat janë vendet kryesore nga të cilat importojmë peshk dhe produkte deti? Në vend të parë qëndron Spanja, ashtu si një vit më parë, me 3.8 milionë kilogramë dhe rreth 12 milionë euro importe. Më pas ndjek Kanadaja me 3.1 milionë kilogramë dhe në vend të tretë Kroacia, me rreth 2.7 milionë. Kanadaja është vendi që ka pësuar rritjen më të madhe, duke u ngjitur edhe në vendin e 2-të nga vendi i 4-tët i një viti më parë.
Ndërsa Kroacia është vendi që ka pësuar rënien më të madhe. Ajo që bie tjetër në sy është rritja e ndjeshme e importeve të peshkut dhe produkteve të detit, nga Kosova, me plot 7.2 herë, nga 1360 kilogramë, në 9395 të tillë.