MENU
klinika

Reformat që do "ndryshojnë" ekonominë

Nga taksa e pronës tek pagesat elektronike

13.02.2020 - 16:49

Qeveria do të ndërmarrë një sërë reformash të thella në disa sektorë të ekonomisë me qëllim rritjen e prodhimit vendas, nxitjen e investime ve të reja dhe sigurimin e një zhvillimi të qëndrueshme dhe rritjen e konkurrueshmërisë.

Programi i Reformave Ekonomike (ERP), 2020-2022, është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe parashikon ndërhyrje në sektorin e energjisë, bujqësisë, punësim dhe në klimën e biznesit në tërësi. Një ndër objektivat e vendosura është përmirësimi i klimës së sipërmarrjes dhe reduktimi i informalitetit.

Në këtë pikë qeveria parashikon të çojë përpara reformën e taksës së pronës për të siguruar zbatimin e saj në të 61 bashkitë e vendit si dhe ngritjen e kadastrës fiskale.

Sipas programit, në planin afatgjatë, masa pritet të stimulojë investimet e huaja direke përmes sigurisë juridike, duke krijuar kështu më shumë biznese dhe duke rritur punësimin. Po ashtu, parashikohet zhvillimi i kuadrit ligjor në mbështetje të start-up-eve inovative.

Përmirësimi i aksesit në financë të bizneseve të vogla dhe të mesme është një tjetër masë e parashikuar, duke krijuar kushte për funksionimin dhe zgjerimin e instrumenteve të ndryshëm financiarë që nuk ishin të pranishëm në tregun e brendshëm (skemat garantuese etj.), duke optimizuar financimin publik dhe duke përmirësuar nivelin e informacionit për të pasur akses në lloje të ndryshme të financimit.

Dhe reforma e fundit lidhet me modernizimin e instrumenteve të pagesave retail. Qëllimi është përdorimi intensiv i instrumenteve moderne të pagesave me vlerë të vogël në të gjithë vendin, me qëllim arritjen e 10 pagesave elektronike për frymë deri në fund të vitit 2022.