Kishte një sere çëshjesh të rëndësishme e shqetësuese në një konferencë të fundit globale të sigurisë në Mynih: Kina po ngrihet, Rusia po ndërhyn dhe Gjermania po dobësohet.
Por pyetja e pashmangshme – ajo që mund të ndryshojë rrjedhën menjëherë për Evropën – ishte nëse presidenti Donald Trump do t’i fitojë përsëri zgjedhjet në nëntor.
Zgjedhja e Trump do të shënonte një ndryshim thelbësor, mendon François Heisbourg, një analist francez.
“Tetë vjet në aspektin politik është një epokë, jo një gabim. Dhe kjo do të dëmtonte realitetin e demokracisë amerikane”, tha Heisbourg.
Sipas një shkrimi të The New York Times, paralajmërimi i Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, për evropianët për të pranuar udhëheqjen e SHBA-së dhe “realitetin” u prit në konferencë me heshtje të gurtë. Aleatët tradicionalë të SHBA-së nuk ishin të sigurt se ata do të ishin në gjendje të varen nga Shtetet e Bashkuara në një mandat tjetër të Trump.
Shumë njerëz presin që përçarja do të zgjerohet vetëm nëse Trump mbetet në detyrë.
Wolfgang Ischinger, drejtor i konferencës dhe një ish-ambasador gjerman në Uashington, vuri në dukje “armiqësinë” e Trump ndaj aleatëve evropianë, duke pyetur: “Pse aktualisht duket se ne po jetojmë në planete të ndryshme?” “Besimi në Shtetet e Bashkuara do të ishte tepër i ulët, dhe rizgjedhja e tij do të dëmtonte aleancën në dy mënyra”, tha Heisbourg. “Së pari, ai nuk beson në aleanca, por ai është gjithashtu shumë i paparashikueshëm. Askush, duke përfshirë Trump, nuk ka asnjë ide se ku do të shkojë me këto, dhe paparashikueshmëria ulë besueshmërinë”.
“Zgjedhja e Trump do të kishte thellësisht pasoja”, tha një zyrtar i lartë evropian, i cili kërkoi të mos identifikohej, nga frika e ndëshkimit për vendin e tij. “Nëse SHBA e zgjedh atë duke ditur gjithçka rreth tij, kjo do t’i ndryshojë gjërat këtu”.
Një mandat i dytë i Trump “do të jetë i njëjtë dhe akoma më keq”, parashikon Amanda Sloat, një ish zyrtare e Departamentit të Shtetit tani në Institucionin e Brookings.
Evropianët panë zgjedhjet e Donald Trump, me një diferencë kaq të ngushtë, si “ndoshta një diçka të momentit”, tha Daniel S. Hamilton, një profesor në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara në Johns Hopkins. “Nëse amerikanët e zgjedhin atë, është një vendim strategjik”, tha Hamilton. “Por është e vështirë të dihet se çfarë do të bënin evropianët në lidhje me të”.
Një mandat i dytë i Trump “do të jetë edhe katër vjet të tjera ‘Amerika e Para’”, tha Robin Niblett, drejtor i çështjeve ndërkombëtare. “Evropa do të kuptonte më shumë dhe më shpejt se duhet të kujdeset për veten e saj”.
Edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, kritikoi unilateralizmin e Trump si thellësisht të dëmshëm për aleancën. Shumë presin që evropianët të rrisin bisedimet për pavarësinë e tyre, por do të kenë probleme në krijimin e një alternative të besueshme të sigurisë, dhe kështu, në fund të fundit, ata do të gjenin mënyra “për t’u shoqëruar me Trump” – në vend që ta kundërshtonin hapur.
Jo të gjithë janë të pakënaqur me perspektivën e Trump. Evropianët qendrorë që kanë një histori okupimi nga Bashkimi Sovjetik priren të jenë mbështetësit e tij më të fortë. Por ata gjithashtu shqetësohen për ambivalitetin e dukshëm të Trump ndaj NATO-s dhe admirimin e tij të dukshëm për presidentin Vladimir Putin të Rusisë.
Nëse Trump e tjetërson plotësisht Evropën, mund të dëmtojë gjithashtu Shtetet e Bashkuara, tha R. Nicholas Burns, një ish-zyrtar i lartë amerikan që mbështet Joe Biden për president të SHBA-së. Rreziku “është që Evropa mund të fillojë ta shohë veten si një pol i tretë në politikën globale midis Kinës dhe SHBA-së”, shtoi ai. “Kjo do të ishte një humbje e madhe strategjike për SHBA-së në fuqi dhe ndikim”.
“Por nëse Trump rizgjidhet, evropianët nuk do të presin më, por do ta refuzojnë më hapur”, mendon Ivo Daalder, një ish-ambasador i SHBA-së në NATO.
Ndërsa Claudia Major, një eksperte e mbrojtjes në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, tha se shumë do të varen “nga ajo se çfarë Evrope ka përballë Trump”.
Mund të jetë një e forcuar ose e ndarë që do të lejojë fuqitë më të mëdha të marrin kontrollin. “Ka kaq shumë përgjigje evropiane”, mendon ajo, “sepse ka kaq shumë vende dhe interesa të ndryshme”.