Universiteti i Tiranës mbi trefishon buxhetin për bileta avioni për udhëtime jashtë vendit të Rektoratit dhe 7 dekanëve për vitin 2020. Në dokumentin që Neës24 ka siguruar Administratori i Universitetit të Tiranës Skerdi Dafa parashikon për vitin 2020 mbi 75 milionë lekë të vjetra shpenzime vetëm për bileta avioni.
Në relacionin që administratori i paraqet kreut të senatit të Universitet të Tiranës zbardh edhe fondin që universiteti shpenzoi përgjatë 2019. Sipas këtij dokumenti, në 2019 fondi për shpenzimet për bileta avioni kap shifrat e 21 milionë lekëve të vjetra, fonde këto që janë shpenzuar edhe pse universiteti nuk ka pedagogë të huaj, apo pedagogë shqiptarë që financohen për të dhënë mësim jashtë vendit.
Në listën e shpenzimeve sipas fakulteteve për 2019 më së shumti evidentohet Fakulteti i Shkencave të Natyrës i cili kap vlerën e 13 milionë lekë të vjetra shpenzime, shumë kjo që për 2020 shkon thuajse dyfish, 23 milionë lekë. Administratori i universitetit të Tiranës kërkon të marrë miratimin e senatit të Tiranës për fondin prej 75 milionë lekë të vjetra pa shpjeguar se cilat janë arsyet që krahasuar me një vit më parë ky buxhet mbi trefishohet.
Vlen për t’u theksuar se këto fonde biletash për udhëtime nuk përdoren për bashkëpunimet që mund të krijohen për ta çuar në një tjetër stad kërkimin shkencor në këtë universitet i cili në vite lë për të dëshiruar dhe nuk parashikohen as për përdorim për studime doktorale. Gjithsesi Senati i Universitetit të Tiranës ende nuk e ka miratuar këtë shumë parash të konsiderueshme.
Universiteti i Tiranës shpesh ka qenë nën akuza edhe vitin e shkuar nga studentët për shpenzime të larta për kompani sigurimi të ruajtjes së objekteve dhe blerje të makinave për zyrtarët e këtij institucione. Universiteti i Tiranës prej disa vitesh ndodhet thuajse në kolaps pas përplasjes se një pjese të dekanëve me rektorin Mynyr Koni. Ndërsa ministria e Arsimit kërkoi shkarkimin e tij për një sërë shkeljesh, kërkesë kjo që u refuzua nga Presidenti Ilir Meta.