MENU
klinika

Skenarët

A do të kemi krizë urie në Shqipëri?

18.03.2020 - 10:37

Ilir Hysa, Drejtor i Asociuar pranë Korporatës Moody’s në një interistë për Gazetën “Si” bën një tablo të deritanishme se si po ndikon pandemia e Koronavirusit në ekonominë globale dhe atë shqiptare.

Ai shpjegon disa skenarë për mënyrën se si do të preket ekonomia globale dhe shqiptare sipas vënies fre të përhapjes së mëtutjeshme të virusit të ri.

Sipas dr.Hysës, në të dy skenarët do të kemi recesion të ekonomisë globale, por në skenarin më pesimit, recesioni do të ketë përmasat e krizës financiare globale të 2008-ës.

Ai mendon se kohë të vështira do të përjetojmë edhe në lidhje me furnzimin me ushqime si rezultat i ndalimit të lëvizjes.

Solidariteti që shoqëroi tërmetin e 26 nëntorit duhet të shërbëjë si shembull për tu ndjekur. Me siguri që do të shohim në ditët që vijnë hendekun mes familjeve të mirëpërgatitura dhe atyre që kanë nevojë për ndihmë sot dhe do të kenë nevojë nesër. Pengesat në transportin e mallrave mund të bëhen faktor shtesë në vështirësitë që mund të krijohen. Shoqëria shqiptare është konsumatore e produkteve të importuara dhe një ngërç në transportin e mallrave do të ishte katastrofal. Nëse kriza zgjat muaj me radhë, familjet që varen nga të ardhurat e siguruara nga prodhimet që eksportojnë, sidomos të atyre bujqësore, do të dëmtohen keqas”, shpjegon Hysa.

Ai i sugjeron qeverisë paketë fiskale për të amortizuar vështirësitë e biznesit në këtë kohë të pazakontë.

Çfarë po përjeton ekonomia globale dhe ajo shqiptare sipas jush këtë kohë?

Përhapja me shpejtësi marramendëse e virusit të ri COVID-19, që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka tashmë përmasat e një ngjarjeje madhore pandemike, po kërcënon ekonominë globale. Elementi që e bën krizën e krijuar globalisht më të vështirë për t’u kuptuar nga publiku dhe për t’u menaxhuar nga administratorët e sistemeve shëndetësore dhe drejtuesit e ekonomive është elementi i pasigurisë dhe beteja psikologjike e qytetarëve me veten: Nga njëra anë, ne jemi të prirur të jemi të lirë e të bëjmë çfarë duam. Nga ana tjetër, lufta efikase kërkon distancim social dhe rregulla të tjera të prera që po prezantohen nga specialistë të shëndetit dhe zyrtarë të qeverive qëndrore e lokale anembanë globit për të luftuar virusin që sulmon sitemin e frymëmarrjes.

Nuk ka dyshim se në çdo skenar COVID-19 do të krijojë pasoja të konsiderueshme ekonomike. Nëse efektet pandemike do të jenë modeste dhe profesionistët e fushës së shëndetësisë ndjejnë se e kanë fituar betejën me virusin e panjohur, atëherë të gjithë ne mund të shpresojmë për një verë normale. Përndryshe, nëse efektet janë të thella dhe të shtrira në kohë, pasojat ekonomike do të jenë të rënda.

Gjithësesi, edhe pa përkeqësim të mëtejshëm, ekonomia globale po merr një goditje të rëndë dhe gjasat e hyrjes në recesion po rriten çdo ditë. Kjo nuk përjashton as Shqipërinë, një ekonomi e dominuar nga importet dhe kryesisht me prodhimtari të bazuar në agrikulturë dhe turizëm. Me sezonin turistik në horizontin e afërt, çdo ditë e humbur në luftën ndaj COVID-19 është anti-reklamë për ti mbajtur vizitorët larg këtë verë. Ndërkohë, fasonët shqiptarë mund të ndjejnë efektin e imputeve më të shtrenjta, arterieve të mbyllura dhe rregullave strikte të qeverisë mbi lëvizjen e lirë.

A parashikoni rënie të ofertës dhe kërkesës në vazhdim? Rritje të papunësisë?

Ilir Hysa PHD, Associate Director – Senior Economist at Moody’s Corporation
Po. Nga pikëpamja e ofertës, masat e marra për kufizimin e lëvizjes, të gërshetuara me kufizimin e operacioneve në zinxhirin e furnizimit të konsumatorëve e bizneseve, kanë potencialin të paralizojnë prodhimin në shumë industri. Nga pikëpamja e kërkesës, masat drastike mund të detyrojnë punëdhënësit të shkurtojnë fuqinë punëtore, duke shkaktuar rritjen e papunësisë. Rënia e të ardhuarve do të rëndonte mbi kërkesën. Intensiteti i këtij fenomeni do të varet nga kohëzgjatja e përhapjes së virusit dhe nga mbështetja që bizneset do të marrin nga qeveria.

Çfarë humb biznesi?

Biznesi humb shumëçka. Së pari, vetëm ndërprerja e operacioneve normale, pa marrë parasysh efektin e faktorëve të tjerë, mund të krijojë dëm të konsiderueshëm. Sigurimi i lëndëve të para mund të bëhet më i vështirë dhe më i kushtueshëm. Sjellja e mallrave në treg mund të rrisë kostot gjithashtu. Së dyti, bizneset mund të humbin punëtorë të çmuar. Procesi i punësimit është i kushtueshëm dhe bashkë me vështirësi të tjera, do të ulte normën e fitimit për bizneset. Së treti, biznesi humb fuqinë blerëse të konsumatorit. Së katërti, biznesi humb qartësinë e nevojshme për të investuar dhe kjo do të thotë kufizim i rritjes ekonomike në vitet që vijnë. Së pesti, biznesi mundet potencialisht të humbë emrin dhe prezencën në tregjet tashmë tejet konkuruese.

A rrezikohet krizë urie, pra mbyllje kufijsh edhe për transportin e mallrave? Bllokim i prodhimit?

Kohët e vështira njihen si momente simbolike të cilat testojnë njerëzimin. Shoqëritë e shëndosha ngadhnjejnë kur kuptojnë se ilaçi më i mirë për të mjekuar plagët është solidariteti. Ky rast nuk do të jetë ndryshe. Duhet kuptuar se sado e mirë qoftë një qeveri, ajo nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet e krijuara. Përgjegjësia e pjesës më të ndjeshme të shoqërisë shqiptare ka potencialin të zbusë, madje edhe të parandalojë urinë. Solidariteti që shoqëroi tërmetin e 26 nëntorit duhet të shërbëjë si shembull për tu ndjekur. Me siguri që do të shohim në ditët që vijnë hendekun mes familjeve të mirëpërgatitura dhe atyre që kanë nevojë për ndihmë sot dhe do të kenë nevojë nesër. Pengesat në transportin e mallrave mund të bëhen faktor shtesë në vështirësitë që mund të krijohen. Shoqëria shqiptare është konsumatore e produkteve të importuara dhe një ngërç në transportin e mallrave do të ishte katastrofal. Nëse kriza zgjat muaj me radhë, familjet që varen nga të ardhurat e siguruara nga prodhimet që eksportojnë, sidomos të atyre bujqësore, do të dëmtohen keqas.

Sa parashikoni të zgjasë situata?

Edhe pse parashikimet makroekonomike janë fusha ime profesionale dhe se unë shpenzoj ditët e javës duke ndihmuar disa nga institucionet më të mëdha financiare në botë, në këtë rast pranoj të dorëzohem e të pohoj se nuk e di se sa do të zgjasë kjo situatë e vështirë. Kjo sepse ka pak raste në historinë e njerëzimit ku fatet ekonomike të shoqërive kërkojnë përballimin e një sfide kaq të madhe duke promovuar distancimin social, ndërkohë që nevoja për bashkëpunim është më e madhe sesa rrallë ndonjëherë. Për t’iu kthyer pyetjes suaj, shtrirja kohore e kësaj situate do të varet shumë nga vendimet që merren nga institucionet shtetërore dhe jo shtetërore për t’a përballuar atë, por po aq edhe nga shkalla e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe e përgjegjësisë qytetare.

Cilat do jenë pasojat afatmesme dhe afatgjata?

Pasojat afatmesme dhe afatgjata do të varen nga kohëzgjatja e problemit në fjalë, nga momenti kur përhapja e virusit do të vihet nën kontroll. Por ajo që mundem t’ju them më me saktësi është se virusi po ndërpret udhëtimet, tregtinë dhe po paralizon bizneset anembanë globit. Potenciali për humbje njerëzore dhe ekonomike është shumë i lartë dhe një panoramë e tillë i ka lënë investitorët në tregjet ndërkombëtare shumë të nervozuar, pavarësisht masave lehtësuese, siç ishin ulja nga Banka Federale në SHBA e normës së interesit në gati zero përqind dhe injektimi i likuiditetit shtesë. E megjithatë, veprimet e së dielës, 15 mars, nuk e ndalën rrëshqitjen masive në Uoll Strit (Wall Street). Indeksi Dow Jones Industrial humbi gati 3 mijë pikë të hënën, 16 mars, rënia më e madhe në historinë e tregut. Masat drastike, përfshirë mbylljen e shkollave, restoranteve e bizneseve të tjera si dhe kufizimet e lëvizjeve ndërshtetërore do të krijojnë vështirësi për bizneset, të cilat po shohin probleme me zinxhirin e furnizimit.

Për këto arsye, rritja globale ekonomike e këtij viti pritet të ulet nga 2,6% e vlerësuar në janar në 1,9% sipas vlerësimeve sot, dhe kjo shifër mund të ndyshojë sërisht nëse epidemia intensifikohet. Për kontekst rajonal, rritja në zonën euro parashikohet të bjerë në 0,8%, nga 1,3% e vlerësuar në janar. Më tej, në Italinë fqinje, rritja ekonomike parashikohet të jetë negative, -0,2%, nga 0,5% vlerësuar vetëm dy muaj më parë. Shqipërisë do të përjetojë gjithashtu vështirësi ekonomike por vlerësimi i rritjes ekonomike do të ishte i nxituar pa ditur reagimin fiskal të qeverisë ndaj krizës dhe nëse fondet e ndihmave për rindërtimin e zonave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 do të vihen në punë. Një element tjetër pasigurie është ndonjë tërheqje e mundshme e donatorëve të tubuar në 17 shkurt 2020 në konferencën e donatorëve që Bashkimi European organizoi për Shqipërinë në Bruksel.

Për tu kthyer tek pamja globale, shifrat e përmendura më lart bazohen në çfarë dihet sot. Dy skenarë të tjerë pikturojnë një peisazh ende më të zymtë për ekonominë globale. Njëri prej tyre, një soj epidemie e moderuar, bazohet në supozimin se përpjekjet globale për të ndalur përhapjen e virusit nuk kanë suksesin e duhur dhe 2 deri 3 milionë njerëz infektohen në gjithë botën. Edhe pse numri i rasteve të reja të infektimeve me COVID-19 presupozohet se kulmon këtë muaj, shkalla e mortalitetit luhatet ndërmjet 2% dhe 3%. Në skenarin e epidemisë së moderuar, shkalla e shtrimeve spitalore arrin 4% deri 5% dhe numri i të infektuarve ulet ndjeshëm në qershor. Ky skenar ka probabilitet të lartë që ekonomia globale hyn në recesion.

Një skenar i dytë që ne parashikojmë është ai i një epidemie të avancuar dhe parashikon një recesion të thellë global. Skenari bazohet në supozimin se ndoshta një përhapje më agresive e virusit, e cila rezulton në infektimin e 3 deri 4 milionë njerëzve në botë. Sipas skenarit, numri i infeksioneve kulmon në prill, vdekshmëria mes të infektuarve luhatet në 2% deri në 3%, ndërsa shkalla e shtrimeve spitalore arrin 5% deri 6% dhe numri i të infektuarve bie ndjeshëm në korrik. Ky skenar i dytë ka potencialin të krijojë një dëm ekonomik global të krahasueshëm me atë gjatë Krizës Financiare Globale të vitit 2008.

E solla këtë paradë shifrash për të ilustruar konkluzionin se parametrat afatmesëm dhe afatgjatë makroekonomikë globalë do të varen nga intensiteti i problemit që po përjetojmë. Shqipëria nuk bën përjashtim nga kjo llogjikë.

Shqipëria ende nuk ka kapërcyer krizën që la pas tërmeti i 26 nëntorit, çfarë masash duhen marrë në këtë kohë?

Ashtu është. Shqipëria i ka ende plagët e hapura nga tërmeti i 26 nëntorit. Ka një sërë gjërash që mund të bëhen për të zbutur dhimbjen. Qeveria ka thënë se projektet për rindërtim do të vazhdojnë, pavarësisht problemeve të krijuara nga përhapja e virusit, dhe ky është lajm i mirë. Familjet që përjetuan dëme të mëdha dhe janë sorollatur çadrave e hoteleve për muaj me radhë nuk mund të presin më. Ndërkohë, Shqipëria mundet të bëjë më shumë sesa një punë në të njejtën kohë, dhe vendi i ka forcat për të përballuar situatën që ka krijuar COVID-19.

Së pari, profesionistët e shëndetësisë duhet të përcaktojnë masat optimale të nevojshme dhe udhëzimet për mbrojtjen e shëndetit publik dhe të mbajnë komunikime të përditshme me qytetarët. Politika le të bëjë punët e veta. Kjo për faktin se lajmet e rreme janë një problem po aq i madh se edhe vetë virusi. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka quajtur mjergullën disinformative dhe mitet e shumta si epidemi informative (“infodemic”). Së dyti, autoritetet shtetërore duhet të jenë transparente me qytetarët shqiptarë. Transparenca do të krijojë besimin tek qytetarët për të ndjekur e respektuar axhendën qeveritare. Kjo kohë kërkon tonet të zbutura. Deri tani, komunikimet e qeverisë kanë qenë herë të ndjera e produktive e herë konfliktuale e të padobishme. Së treti, qeveria duhet të miratojë një paketë fiskale që të stimulojë konsumin, duke ndihmuar qytetarët më në nevojë dhe të shpëtojë bizneset e vogla nga falimentimi. Kjo është kohë e papërshtatshme për të menduar për rritjen e borxhit publik. Së katërti, qeveria duhet të ndëshkojë spekullantët që rrisin çmimet në mënyrë të paarsyeshme. Rritja stratosferike e çmimeve ua bën edhe më të pamundur qytetarëve, sidomos pensionistëve dhe familjeve me pak ose pa të ardhura konsumin e artikujve bazikë. Së pesti, sistemi shëndetësor duhet të mbështetet fuqishëm që të jetë gati nëse numri i të infektuarve rritet ndjeshëm në ditët që vijnë. Mbingarkimi i një sistemi shëndetësor të papërgatitur do të ishte fatal për të gjithë të infektuarit dhe skenat e dhimbshme të Italisë fqinje do të bëheshin pjesë tronditëse të realitetit shqiptar.

A ngjan kjo me ndonjë krizë tjetër në historinë e njerëzimit? Si do t’ia dalim?

Pa dashur të bëj historianin, mund të them se nuk është hera e parë që njerëzimi përballet me një problem kaq masiv. Dua të përmend këtu epideminë e Vdekjes së Zezë të viteve 1347-1351 në të cilën besohet të kenë humbur jetën mbi 200 milionë njerëz dhe Gripin Spanjoll të viteve 1918-1919, i cili mori jetët e gati 50 milionë njerëzve. Pa dashur të minimizoj kërcënimin që përbën përhapja e COVID-19, dëmi që do ti shkaktojë ky virus njerëzimit do të mbetet më i vogël se ai i shumë epidemive të mëparshme. Kjo sepse kushtet sanitare, mjekësia dhe teknologjia janë shumë më të avancuara sesa një shekull më parë. Në fakt, vetëm dy muaj nga fillimi i punës për zbulimin e vaksinës që rrit imunitetin ndaj COVID-19, ekspertët në SHBA informuan publikun se në 16 mars 2020 se bënë provën e parë të vaksinës preliminare dhe grupi eksperimentues do të ndiqet tani nga afër, ndërkohë që versione të tjera të përmirësuara të vaksinës do të injektohen mbi grupe të tjera eksperimentale.

Sërisht e theksoj se sfida është reale dhe kërkon daljen në pah, në mënyrën më të mirë të mundshme, të virtyteve më të mira njerëzore. Kombinuar me punën, transparencën dhe masat konkrete fiskale të institucioneve, ato virtyte do t’a mundin virusin. Rrallë ndonjëherë ka qenë bashkëpunimi i qytetarëve dhe i institucioneve më i rëndësishëm dhe i vështirë sesa tani. Thënë shkurt, vetëm me bashkëpunim, mirëkuptim dhe shumë sakrifica do të mund të luftohet virusi. Kjo nuk është kohë as për politikë dhe as për të fajësuar të tjerët. Institucionet duhet të marrin peshën e rëndë të përgjegjësisë së momentit delikat mbi supe, ndërsa qytetarët duhet të mendojnë për vete dhe për të tjerët. Për shembull, ekspertët mendojnë se një 20 vjeçar i shëndetshëm nuk kërcënohet nga Koronavirusi i marrë diku në një aktivitet me shoqërinë, por duke e sjellë virusin në shtëpi mund të shkaktojë vdekjen e një familiari të sëmurë apo të moshuar, përgjithësisht me imunitet të ulët ndaj një virusi të tillë fatal. Thënë ndryshe, si popull me temperament të stuhishëm, ne e kemi të vështirë të heshtim dhe do t’ia dalim vetëm nëse do të dëgjojmë më shumë sesa do të flasim./SI

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dritëhijet e mikut të Erdoganit, themeluesit të Air Albania-s

Ja kush janë armiqtë e Vlorës.. Ja biznesi që fshihet pas sulmeve që na vijnë nga PD…

Ekspozita Ndërkombëtare e Artit

Driant Zeneli përfaqëson Shqipërinë në Venecia