MENU
klinika

“Ka ndikuar tmerrësisht shumë tek unë, Kristi ishte …”!

Greg Rama flet për herë të parë për të dashurën që humbi jetën nga tërmeti

03.03.2020 - 16:43

Djali i kryeministrit Edi Rama, Gregu, ka folur për herë të parë në media për ndienjat e tij, pas tragjedisë së 26 nëntorit që lamë pas, ku tërmeti shkatërrimtar i mori edhe të dashurën e tij, Kristi Reçin, e cila mbeti nën rrënoja me gjithë familjarët.

I pyetur se kujt ia ka dedikuar ekspozitën e tij më të fundit, Greg Rama ka dhënë një përgjigje të gjatë që ishte shteruese për dy tema, të cilat e kanë lakuar deri më sot në media, e dashura e tij që humbi jetën nga tërmeti tragjik dhe emri i një vajze, që u përmend së fundmi, me të cilën mediat aluduan se ai kishte krijuar një lidhje të re në jetën e tij.

“Ka ndikuar tmerrësisht shumë tek unë, dhe tek krijimtaria ime. Kristi ka qenë një mikeshë dhe më shumë se kaq”, ka thënë Gregu, teksa ka folur për 25-vjeçaren, që iku tragjikisht nga kjo botë.

Duke sjellë shembullin e tij, ai sqaroi për Euronews Albania: “Per shembull, ndodhi para pak kohësh me një shoqen time, me Xhesin, që u bë një lajm nëpër të gjitha portalet e mundshme që përflitet se është në lidhje me…Shiko unë Xhesin e kam vetëm shoqe”.

Greg të falënderoj shumë që hape dyert e ekspozitës tënde ende pa e çelur për ne!

Greg Rama: Të falënderoj shumë ty që e more këtë nisëm, të merresh me mua një herë se ma merr mendja se sa e vështirë mund të jetë të merresh me njeri kaq të çuditshëm sa jam unë.

Nuk po të pyes cila ngjyrë të pëlqen, por cila ngjyrë je. Orhan Pamuk e pranon thjesht: “Unë jam e kuqja”. Ti si mendon për veten tënde, cila ngjyrë je?

Greg Rama: Po përpiqem mos ta politizoj këtë përzgjedhjen e ngjyrës kështu që nuk e di akoma se cila ngjyrë jam.

Ke zgjedhur të prezantohesh me një instalacion. Fidem, ekspozita jote e parë personale, ishte shumë e suksesshme. Por vetë instilacioni është një koncept shumë I gjerë. Si do ta përkufizoje ti vetë instilacionin?

Greg Rama: Shpresoj t’ia kemi dalë për ta sjellë sa më në dritë. Koncepti le te themi që është pak abstrakt sepse ka të bëjë më mungesën e gravitetit. Ka të bëjë më kompozimin simetrik sikurse edhe asimetrik në të treja sallat. Zanafilla e kësaj ka qenë ideja për të nxjerrë në pah diçka që ne e ndeshim ndoshta përditë, e cila mund të jetë një fije bari dhe nëpërmjet një ndërhyrjeje artistike kjo mund të marrë dimensione krejtësisht të reja dhe të pa imagjinuara më parë.

Cili ka qenë frymëzimi për këtë instilacion?

Greg Rama: Ka pasur disa shkëndija nga disa drejtime të ndryshme që kanë ndikuar te unë për të krijuar këtë gjë. Sikur se thashë është ideja e një fenomeni që ne e ndeshim thuajse përditë por që e neglizhojmë, mbase jo për keq por e neglizhojmë sepse jemi të fokusuar te e përditshmja jonë, te rutina jonë dhe ndonjëherë harrojmë që gjërat më të thjeshta në dukje, gëzojnë një rëndësi tepër të veçantë si te pavetëdija jonë si te vetëdija jonë. Kjo më ka bërë të reflektoj dhe nxjerr në pah këtë gjë. A ia kam dalë apo nuk ia kam dalë, nuk e di por shpresoj që t’ia dal.

A do ta kishit krijuar këtë instilacion nëse nuk do kishte edhe një motiv krejt të brendshëm personal të implikuar këtu, në këtë punë tënden?

Greg Rama: Në përvojën time çdo punë ka motive thellësisht personale. Kështu që patjetër, edhe kjo ka pasur motive personale, por të thashë nuk është se kam dashur ta bëj me një plan specifik. Erdhi natyrshëm, u zhvillua po aq natyrshëm dhe ja ku jemi sot, ku ky motiv u konkretizua.

Unë kam qenë që në ekspozitën tënde të parë Fidem dhe kur më the para pak kohësh që një tjetër ekspozitë po bëhet gati, të them të drejtën kurioze përveç punës isha edhe për emrin. Fiden ishte gjetje, ne ekspozitën e parë. Ex Nihilo, e dyta. Pse ky emër?

Greg Rama: Nga latinishtja, se jam I fiksuar këto kohë më latinishten, fiksim i radhës ky! Do të thotë “Nga Asgjëja”, pra ne krijojmë nga asgjëja. Ka qenë një moment që realisht kjo erdhi nga asgjëja “Out of Nowhere” dhe më pëlqeu që ky emër mund të përshtatej shumë mirë me këtë ide.

Sigurisht që në ekspozitë, ti nuk mund të jesh i vetëm. Besoj ke pasur dhe bashkëpunëtorë!

Greg Rama: Si kemi thënë, ti nuk do të jesh kurrë vetëm, këtë I them dhe vetes!

Me kë ke bashkëpunuar këtë herë?

Greg Rama: Këtë herë kam bashkëpunuar me ca njerëz shumë pozitiv dhe dashamirës, shumë të përkushtuar ndaj kësaj pune, duke filluar nga kuratori Ardian Isufi duke vazhduar me Altin Likën që e kam dhe mik dhe disa njerëz të tjerë që janë bërë një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj gjeje. Sigurisht unë i falenderoj shumë dhe I them që I dua shumë.

Kujt ia ke dedikuar ekspozitën?

Greg Rama: Le të mos e personalizojmë shumë këtë pjesë, por nëse pyetja jote është, “A ka lidhje sadopak kjo punë me ngjarjen fatkeqe të tërmetit”, sigurisht edhe ajo ka ndikuar. Ka ndikuar tmerrësisht shumë tek unë, dhe tek krijimtaria ime. Kristi ka qenë një mikeshë dhe më shumë se kaq. E gjithë kjo histori portalesh, lajmesh…në rregull, unë e mirëkuptoj. Nuk ka qenë aspak me qëllime të këqija, por më vjen keq që në shumë raste është neglizhuar pjesa që shpirti i saj dhe i atyre që ikën bashkë me të, të lihet i qetë. Nuk janë lënë të qetë në shumë raste dhe për këtë më vjen keq. Më vjen shumë keq. Tani ajo histori ka kaluar dhe nuk e kthejmë dot më fatkeqësisht, por më vjen po aq keq kur sa herë ju jepet mundësia të komentojnë, për shembull, ndodhi para pak kohësh me një shoqen time, me Xhesin, që u bë një lajm nëpër të gjitha portalet e mundshme që përflitet se është në lidhje me…Shiko unë Xhesin e kam vetëm shoqe më kupton, dhe Xhesi është një vajzë shumë e mirë, është fat ta njohësh jo më ta kesh mikeshë dhe më vjen mirë që në këtë rast ishte Xhesi, e cila ishte shumë mirëkuptuese ndaj këtyre lajmeve sepse mund të ishte dikush tjetër. Mund të ishte, nuk e di, dikush që nuk do e përjetonte aspak mirë një koment të tillë. Njëkohësisht titulli, një lajm që harroi ngjarjen e tërmetit, harroi Kristin dhe gjeti këtë tjetrën, këto janë për mua shumë abuzive, shumë të ftohta dhe për më tepër të pa drejta sepse nuk është fare kështu. Nuk mund të jetë kështu. Më vjen keq jo vetëm për veten, sepse unë tani jam mësuar me lloj-lloj situatash, me lloj lloj komentesh dhe fantazish nga më të paimagjinueshme, por më vjen keq më shumë për të afërmit e saj, që vazhdojnë jetojnë sot e kësaj dite. Për ata nuk është e lehtë, nuk ka qenë aspak e lehtë dhe nuk ka për të qenë e lehtë. Unë e di këtë. Nuk mund të komentohen këto gjëra kështu. Fare mirë dikush mund të vijë edhe të thotë: “Shiko ata kanë bërë diçka të padrejtë, të takon ty që t’i hedhësh në gjyq, që të vihet drejtësia në vend”, por nuk vihet drejtësia në vend duke u marrë edhe duke u përpjekur t’i mbushësh mendjen: “Shiko se kjo është e gabuar”, sepse edhe nëse vjen një moment që ata do ta kuptojnë që “Kjo është gabim, kjo është abuzive, kjo është e padrejtë”, fakti tragjik është që ata që ikën nuk i kthejmë dot më.

Të falenderoj shumë që zgjodhe të thoshe dhe ti fjalën tënde, fjala e të vetmit njeri që duhet dëgjuar për këtë çështje! Për ta ç’dramatizuar pak, si i duket arti bashkëkohor shqiptar në sytë e një artisti si ty?

Greg Rama: Me aq sa kam parë, këtu te ne ka njerëz shumë të talentuar dhe shume të përkushtuar ndaj asaj që bëjnë dhe me sa kam parë gjithashtu këto vitet e fundit dëshira për t’u marrë me art ka ardhur duke u rritur dhe duke u përmirësuar. Unë nuk jam profesor që të bëj vlerësime nëse me duket mirë ose me duket keq por me aq sa kam perceptuar unë është më mirë por nuk jemi akoma aty ku duhet.

A është kjo një ekspozitë që duhet pëlqyer, apo mjafton thjesht të përjetohet nga kushdo sipas mënyrës së vet?

Greg Rama: Duhet urryer nga të gjithë, duhet sharë e mallkuar! Bej shaka, se mos e marrin e bëjnë lajm do që ta urrejnë të gjithë ekspozitën! Kjo është një çështë personale, unë thjesht dua të komunikoj me publikun dhe kam zgjedhur këtë formë. Të bëjnë ç’të duan!

Greg, sa kohe do të qëndrojë e hapur ekspozita?

Greg Rama: Nga data 4 deri në 15 mars në galerinë Fab. Absolutisht ftoj këdo që jeton në Tiranë dhe jo vetëm për ta parë dhe për ta shijuar ekspozitën e Gregut artist. Për ta parë, uroj ta shijojnë. Po e pëlqyen, mirë! Edhe po nuk e pëlqyen do pajtohem me këtë fakt.

Kritikat të bëjnë mirë ndonjëherë!

Greg Rama: Patjetër, me kritikat jemi mësuar tani, nuk shpëtojmë dot. I kemi me vete kudo ku shkojmë.

Të falenderoj shumë dhe shumë suksese edhe në punët e tjera.

Greg Rama: Gjithashtu, faleminderit!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Ne rrinim të heshtur pranë detit…"

Greg Rama poston vargjet melankolike

Ndërrimi i viteve në familjen e kryeministrit

“Gjithmonë kam dashur një foto si kjo” Greg Rama zbulon …

“Miq të ngushtë”, zbulohet fotoja!

Greg Rama në lidhje me moderatoren e njohur?


“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!

Aktiviteti do të ushtrohet në zona të caktuara që do të jepen me qira!

Nga 2025 lejohet gjuetia, çfarë parashikon vendimi!