Shkrimtarët e trillimeve shkencore kanë fantazuar se si do të reagonin fuqitë rivale të botës nëse Toka do të pushtohej nga të huajt.
A do të bashkoheshin për të luftuar një armik të përbashkët? Apo do të vazhdonin duelin mes tyre ndërkohë që pushtuesi i huaj shkatërron njerëzimin?
Koronavirusi nuk është nga një planet tjetër. Por kjo krizë është shumë e afërt me skenarin e imagjinuar nga shkrimtarët.
Por SHBA dhe Kina kanë shfaqur më shumë qëllimet për të sulmuar njëri-tjetrin sesa të punojnë së bashku. Që nga shpërthimi i virusit në Kinë, ata kanë vazhduar luftën.
Uashingtoni ka sulmuar Kinën, për mënyrën e trajtimit të krizës në fillim. Pekini u përgjigj duke thënë e duke pretenduar se virusin e sollën ushtarët amerikanë.
Trump ka nevojë për një fitore të shpejtë në luftën kundër koronavirusit edhe më urgjentisht. Një krizë e zgjatur dhe më shumë probleme për ekonominë mund të rrezikojnë rizgjedhjen e tij në nëntor.
Fitimet nga bashkëpunimi tejkalojnë kostot modeste të hapave që mund të ndërmarrin për të ndalur konfliktin e tyre.
Konkretisht, gjëja më e lehtë që të dy mund të bëjnë është që të përmbahen për gjashtë muaj nga ndërmarrja e ndonjë veprimi diplomatik që mund të interpretohet si jo miqësor.
Pekini duhet të tërheqë vendimin e tij për të dëbuar gazetarët amerikanë. Sa për SHBA, do të ishte një shenjë pozitive nëse të gjithë zyrtarët amerikanë, dhe jo vetëm zoti Trump siç ka bërë kohët e fundit, nuk t’i referoheshin më pandemisë si “virusi kinez”.
Një hap më praktik është bashkëpunimi në luftimin e Covid-19.
Xi duhet personalisht t’i ofrojë Trumpit miliona maska, teste dhe veshje mbrojtëse. Për më tepër, Kina duhet të ndajë me SHBA dhe me të gjitha vendet e tjera, mësimet dhe të dhënat lidhur me trajtimin e virusit.
Kjo do të ndihmonte për të fituar luftën kundër koronavirusit shpejt dhe me efikasitet, globalisht.
Uashingtoni dhe Pekini gjithashtu duhet të bashkojnë burimet dhe talentin e tyre shkencor në një program të përbashkët për të gjetur një vaksinë.
Në frontin ekonomik, bashkëpunimi do të ndihmojë në qetësimin e tregjeve dhe kufizimin e dëmeve. Për shembull, një marrëveshje e përbashkët për të pezulluar për gjashtë muaj të gjitha tarifat e vendosura gjatë luftës tregtare do të rrisë besimin e investitorëve.
Këto hapa modestë nuk ka gjasa të ndryshojnë rrjedhën e rivalitetit të tyre gjeopolitik.
Por Duke bashkëpunuar për të luftuar një armik të përbashkët, ata të dy mund të ndihmojnë veten e tyre dhe të sigurojnë botën se mosmarrëveshjet mes tyre nuk rrezikojnë gjithë njerëzimin.
Përkthyer dhe përshtatur nga Financial Times/ konica.al