MENU
klinika

Evropa po paguan çmimin...

Të dënuar sepse jemi shoqëri të lira?!

20.03.2020 - 17:35

Koronavirusi vazhdon të përhapet. Deri të mërkurën, Evropa kishte regjistruar më shumë raste dhe vdekje sesa Kina. Të enjten, Italia kaloi Kinën.

Ndërsa Kina pretendon të ketë ulur shkallën e saj të rasteve të reja, numri i Evropës rritet më shpejt çdo ditë, duke treguar se më e keqja nuk ka ardhur ende.

Pra, si është e mundur që sëmundja e re, Covid-19, ka prekur më shumë Evropën, e cila ishte paralajmëruar, sesa Kinën, nga e kishte origjinën virusi dhe ku ka dy herë më shumë njerëz?

Në një farë mase, thonë ekspertët, evropianët po paguajnë një çmim për të jetuarit në demokraci të hapura, të pasura, ku njerëzit janë mësuar të lëvizin të lirë, ku marrin vendime të pavarura, dhe ku qeveritë shqetësohen për opinionin publik.

Qeveritë nuk janë mësuar të japin urdhëra dhe qytetarët nuk janë mësuar t’i  zbatojnë ata.

Por Kina veproi në një mënyrë që e tronditi Perëndimin. Ajo mbylli dhjetëra miliona njerëz, duke i ndaluar ata të largoheshin nga qytetet e tyre dhe madje edhe nga shtëpitë e tyre.

Fuqia shtrënguese e një qeverie autoritare ishte vetëm një faktor. Shpejtësia dhe veprimi agresiv kanë qenë thelbësore, dhe disa qeveri të Azisë Lindore po e përballojnë shumë mire epideminë.

“Ata panë se çfarë bëri SARS” në 2003 dhe 2004, “dhe ata u përgatitën për një tjetër”, tha Thomas R. Frieden, një ish-drejtor i Qendrave të Shteteve të Bashkuara për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Përpjekja e parë e Evropës për të izoluar një zone të caktuar, hyri në fuqi më 8 mars, kur ishin raportuar më shumë se 7.300 raste. Spanja dhe Franca kishin raste të ngjashme javën tjetër, kur vendosën të ndalonin shumicën e daljeve publike në mbarë vendin.

Disa pjesë të Azisë Lindore vepruan shpejt, por me një strategji shumë të ndryshme nga ajo e Kinës ose e Evropës: testimi i vazhdueshëm dhe gjurmimi i kontaktit për të ndaluar zinxhirin e transmetimit.

Si rezultat, Singapori, Tajvani dhe Hong Kongu kanë pasur pak raste.

Epidemiologët gjithashtu thonë që testimi në shkallë të gjerë dhe gjurmimi i kontakteve, si distanca sociale, funksionojnë më së miri.

E thënë ndryshe, përgjigjja më e mirë për një situate të tillë është ajo që do të kritikohet ashpër. Por ekspertët thonë se shpesh është e pamundur të dihet si do të vazhdojë situata…

Përkthyer dhe përshtatur nga New York Times/ konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Mos t'i nënshtrohemi nacionalizmit"

Koronavirusi nuk ka pasaportë…

Koronavirusi mbyll kufijtë e shteteve...

Evropa heq dorë nga “Marrëveshja e Shengenit”?