Në vitin 1347, murtaja, pasi kishte bërë kërdinë në Lindjen e Largët, erdhi në Evropë. Thuhet që e sollën mongolët.
Këta, pasi dështuan marrjen e një fortifikate tregtare gjenoveze në Krime, para se të tërhiqeshin, bënë një sulm të fundit, duke hedhur me katapulta mbi muret e qytetit trupat e ngrohtë të viktimave të tyre nga murtaja. Më pas gjenovezët e përhapën sëmundjen në çdo vend që shkuan. Brenda disa muajve, vdekja pllakosi gjithë Evropën. Mbas dy vjetësh, më shumë se një e katërta e popullsisë së Evropës (rreth 25 milionë njerëz) u zhduk nga kjo epidemi e tmerrshme, që ndryshe njihet si “Vdekja e Zezë.”
Në këtë tragjedi, çuditërisht ndikoi edhe kryevepra e Dantes, “Komedia hyjnore”, e shkruar në fillim të shek. XIV. Po si? Përshkrimet e gjalla të ferrit dhe purgatorit, kishin ndezur fantazinë mesjetare të besimtarëve. Ata panë te murtaja dorën ndëshkuese të Zotit për mëkatet e tyre, ndaj treguan një apati dhe nënshtrim të pazakontë. Gjendja mendore pesimiste i dha shtysë përhapjes së sëmundjes, e mbështetur dhe nga kequshqyerja e popullsisë së atyre viteve me të korra të pakta. Imuniteti i dobët i njerëzve bëri të vetën.
Shumë njerëz, në panik e sipër, braktisën vendbanimet, duke lënë pas mijëra të infektuar. Ata që krisën të parët ishin fisnikët e pasur, klerikët dhe mjekët. Mes këtij paniku, papa i gjithëfuqishëm bën një budallallëk. Shpall vitin 1350 Vit të Shenjtë dhe u premton pelegrinëve që do vizitonin Romën hyrjen direkt e në parajsë, pa qenë nevoja të kalonin nëpër purgator. Qindra mijë dele të perëndisë iu bindën kësaj thirrjeje, duke përhapur murtajën cep më cep, ngado që kaluan.
Ndërkohë që vdekjet shtoheshin, njerëzit nuk hoqën dorë t’i luteshin Perëndisë për ndihmë. Burra e gra i falën kishës gjithçka që kishin, duke shpresuar se Zoti do t’i mbronte nga sëmundja ose, të paktën, do t’i shpërblente me jetën qiellore. Kjo bëri që në duart e kishës të grumbullohej një pasuri e stërmadhe. Priftërinjtë, në shkëmbim, u dhuronin ikona të Krishtit, hajmalira e nuska për fat.
Të tjerë iu drejtuan magjisë dhe pseudomjekësisë për të kërkuar kura të ndryshme. Thuhej se parfumet, uthulla dhe disa lëngje të veçanta e mbanin larg sëmundjen. Disa shpresonin duke lënë të derdhej gjaku nga trupi. Madje, fakulteti dijeplotë i mjekësisë në Universitetin e Parisit ia atribuoi murtajën renditjes së planeteve! Gjithësesi, shpjegimet e rreme dhe “kurat” nuk bënë asgjë për të ndërprerë përparimin e kësaj murtaje vrasëse.
Pasojat?
Njerëzit u rralluan. Pakësimi i krahut të punës rriti pagesat për punën. Pronarët e tokave u varfëruan dhe dorë pas dore sistemi feudal po shkonte drejt shthurrjes. Ndryshime politike, fetare dhe shoqërore dolën në skenë. Reforma tronditi kishën.
Të pasigurt për të ardhmen, të mbijetuarit e murtajës flakën tej çdo lloj kufizimi moral. Sa për kishën, duke qenë se dështoi të parandalonte murtajën, njerëzit kuptuan se i kishte lënë në baltë dhe besimi te institucioni i saj u trondit. Njeriu ktheu sytë nga vetja dhe kështu u shfaqën shkëndijat e para të individualizmit dhe sipërmarrjes. Një rend i ri ishte në prag.
/ Marrë nga profili i Altin Bamllarit