MENU
klinika

ANALIZA nga Adrian Civici

Ekonomia post-coronavirus/ Çfarë pritet të ndodhë?

01.04.2020 - 10:22

Nga Adrian CIVICI

Milton Friedman, Nobelist, një nga ekonomistët më influentë të shek.XX-të, ju përsëriste shpesh studentëve të tij të ekonomisë në auditorët e Universitetit të Cikagos se “ju po përgatiteni për një profesion të vështirë, shpesh të pakuptueshëm dhe të cuditshëm për shumicën e njerëzve … kur cdo gjë shkon mirë dhe të gjithë janë të kënaqur me fitimin dhe konsumin, ju duhet të filloni të analizoni dhe paralajmëroni krizën ekonomike që afrohet në horizont – në fund të fundit kjo është llogjika e funksionimit të kapitalizmit; kur gjithshka shkon keq dhe kriza ka pllakosur vendin, kur të gjithë janë të dëshpëruar dhe pesimistë, ju duhet të tregoheni optimistë se rringritja dhe rritja ekonomike do fillojë së shpejti – natyrisht duke u treguar inteligjentë në kapjen e oportuniteteve të së ardhmes… kjo është ecuria e cikleve ekonomike dhe zhvillimit”.

Edhe në këtë kohë krize ekonomike e financiare që rëndom po quhet “kriza e coronavirusit” – kur tashmë konstatimet se “ekonomia po fillon të rrezikohet seriozisht” apo “kohë të vështira na presin”, po zëvendësohen me pohimet se “recesioni është i pashmangshëm” apo se “duhet bërë gjithshka për të shmangur depresionin ekonomik”, se parashikimet e zymta shkojnë deri atje sa të vlerësojnë se rreth 10-15% e PBB botëror mund të “avullojë” gjatë vitit 2020 (ose një humbje prej rreth 10-12 triliardë usd) – ekonomistët dhe institucionet e specializuara në këtë fushë, po reflektojnë intensivisht se si do jetë “day after”, cfarë pritet të ndodhë me ekonominë në epokën “post-coronavirus”, cilat janë sfidat që na presin dhe si duhet të përgatitemi për to? Masat mbështetëse dhe politikat buxhetore e monetare që po preferohen masivisht në këtë situatë – , po na përgatisin pozitivisht apo negativisht për daljen nga kriza?

Recesioni ekonomik po troket në dyert e shumë ekonomive e shteteve. Llogaritjet janë përqëndruar në gjerësinë dhe kohëzgjatjen e tij, elemente që do të përcaktojnë numrin e falimentimeve, numrin e të papunëve, koston e mbështetjes masive të ekonomisë që po aplikohet aktualisht. Disa sektorë janë prekur rëndë : turizmi, shërbimet, tregëtia, hoteleritë e restorantet, industria, ndërtimi, transporti. Shkalla e dëmtimit të këtyre sektorëve do të jetë në funksion të periudhës së bllokimit të aktivitetit ekonomik dhe “distancimit social”, nga “përfitimet e tyre në raport me paketat ndihmëse ekonomoko-financiare”, nga mundësia dhe kapaciteti i tyre për ta përballuar individualisht krizën e kësaj situate të jashtëzakonshme.

Por, shumë ekspertë, ekonomistë e bankierë, mendojnë se “coronavirusi ishte goditja e fundit dërrmuese e një recesioni të paralajmëruar që dëshmonte fundin e një cikli 10-12 vjecar ekonomik e financiar, dhe hedhjen e bazave për fillimin e një cikli të ri, pjesa më shpresëdhënëse e të cilit janë vitet e para kur ndodh dhe rritja ekonomike intensive”. Kontraktimi aktual i aktivitetit prodhues e shërbimeve, a do të shoqërohet, ashtu sic ndodhi në vitin 2010, me një zhvillim intensiv ekonomik dhe financiar, apo ky recesion do të zgjasë më shumë duke marrë përmasat e një stanjacioni afat-gjatë? Analizat dhe diskutimet janë përqëndruar në parashikimin e formës që pritet të ketë ky proces : do jetë në formë V dmth, rënie e shpejtë dhe një rringritje po kaq e shpejtë?, në formë U dmth, rënie – stanjacion – rringritje; në formë L dmth, rënie dhe një stanjacion i gjatë më pas?, apo në formë Ë dmth, rënie, ringritje e lehtë, rënie dhe pastaj një rringritje më e qëndrueshme.

Ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare si FMN, Banka Botërore, BERZH apo OCDE janë të ndarë në vlerësimet e tyre ndërmjet modelit V dhe U, ndërkohë që vendet e varfëra dhe të pazhvilluara nuk përjashtohet mundësia e modelit L. Nëse bizneset mund ti shtyjnë dhe ti realizojnë disa muaj më vonë investimet e tyre, të cilat aktualisht janë të kontraktuara, atëherë, modeli V është më i mundshëm, duke i hapur rrugën një faze të re të rritjes ekonomike; por, nëse një numër i madh biznesesh apo agjentësh ekonomikë, dobësohen rëndë dhe nuk rezistojnë dot në këtë situatë, atëherë, modeli U – dhe në rastin më të keq dhe më pesimist, modeli L – mund të jetë skenari i mundshëm që e pret ekonominë. Gjithshka varet nga mundësitë e bizneseve për të mbajtur dhe ruajtur kapacitetet e tyre prodhuese, duke “krijuar mundësitë që të përfshihen më shpejtnë fazën rritëse që pritet të ndodhë”, ndërsa dobësimi apo rreziku i falimentimit të tyre, do shkatëronte kapacitet prodhuese të tyre duke e bërë të vështirë rritjen e investimeve dhe përfshirjen në faën e rritjes ekonomike intensive të “fillimit të ciklit të ri ekonomik post-coronavirus”.

Vende të ndryshme tashmë kanë filluar analizat dhe llogaritjet se cila do jetë kurba e ndryshme e ciklit post-coronavirus. Kështu p.sh., SHBA, Italia, Franca, Anglia, Sllovenia, Hollanda, Belgjika,Turqia, mendojnë se do jenë në situatën V, Spanja, Greqia, Kroacia, Serbia, Portugalia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi – vende ku turizmi zë një peshë të rëndësishme në ekonomi – , vlerësojnë se kurba më mundshme për to është U-ja. Besoj se edhe Shqipëria duhet të përgatitet për një kurbë U por koha për të filluar rringritjen ekonomike – intervali i poshtëm i U-së – pritet të jetë pak më e gjatë për faktin se ne pësuam dy gotitje të rënda, tërmetin e 26 nëndorit dhe efektin e koronavirusit, ndërkohë që jemi një vend shumë i varur nga konsumi i brendshëm, ecuria e të cilit kushtëzon dhe një pjesë të rëndësishme të të ardhurave buxhetore. Ndërkohë, mjaft prej vendeve të varfëra apo në zhvillim, i tremben një skenari të kurbës L, me vështirësi të mëdha për të filluar rringritjen.

Në këtë këndvështrim, tashmë ka filluar dhe vlerësimi i politikave ekonomike, financiare e monetare relaksuese që po aplikohen për përballimin e krizës. Cili do të jetë efekti i tyre në “ekonominë e muajve të ardhshëm”? Një nga përgjigjet që po bëhet frekuente është se “politikat monetare që duket se kanë arritur në limitet e tyre me injektimet masive të monedhës në qarkullim nuk jep garanci se do ketë reaksion pozitiv nga agjentët ekonomikë dhe mbështetjen strukturore të ekonomisë”. Përqindjet negative të interesit janë një fenomen i ri i panjohur dhe i papërdorur në krizat e tjera, qoftë në 1929 apo në 2008. Pikëpyetjet për efektet kolaterale të tyre, sidomos në periudha aftmesme janë të mëdha. Mbështetja direkte dhe indirekte e bizneseve me likuiditet duhet të vazhdojë gjatë gjithë periudhës së bllokimit të aktiviteteve të tyre duke mos qënë e kufizuar në vetëm disa javë apo muaj.

Nga pikëpamja makroekonomike, sidomos vendet e zhvilluara, po orientohen cdo ditë e më shumë drejt stimujve buxhetorë duke rritur ndjeshëm deficitet buxhetore dhe borxhin publik. Por, përtej “euforisë së momentit për efektet e tyre pozitive në shpëtimin e ekonomisë, tashmë, shumica e agjentëve ekonomikë mendojnë se kjo nuk është gjë tjetër vecse një taksë e re speciale afatgjatë që synon shfrytëzimin apo përdorimin e sotëm të një pjese të rritjes ekonomike të së nesërmes. Ekspertë të shumtë vlerësojnë se përdorimi kaq i gjërë i këtij instrumenti krijon efektin e quajtur “crowding out”, sipas së cilit rritja e madhe e shpenzimeve publike dekurajon investimet dhe shpenzimet private, sidomos në periudhën e post-krizës.

Debati më i madh ndërmjet ekonomistëve, politikanëve dhe bankierëve ka të bëjë me dilemën “nëse në këtë situatë krize emergjence ekonomike, ndihmat për biznesin duhet të jenë automatike dhe gjithëpërfshirëse – duke harxhuar para buxhetore edhe për biznese jo rentabël dhe informalë -, apo, që në këtë fazë – përvec ndihmave direkte për punonjësit dhe garantimin e fuqisë blerëse dhe konsumit të tyre – të ketë një seleksionim paraprak se cili biznes do ndihmohet? Nëse duhet të pranojmë veprimin e procesit Shumpeter-ian të “shkatërrimit krijues” që në këto momente, apo ky proces duhet shtyrë për një fazë të mëvonshme post-krizë?

A duhet të mendojmë që tani, në këto kushte emergjence, që paratë kryesore mbështetëse të qeverive dhe bankave, dmth, fluksi i kapitaleve, të fokusohen jo vetëm në sektorët më të prekur nga kriza, por gjithashtu të kenë “dhe një sy hapur drejt bizneseve e sipërrmarjeve inovative të së ardhmes, drejt sipërrmarjeve, degëve e aktiviteteve që garantojnë kontribut të madh në rritjen ekonomike”? A duhet të “ruajmë dhe konsolidojmë” një kategori biznesesh, kryesisht të mëdha dhe shumë të mëdha, që mbijetojnë vetëm falë mbështetjes dhe garancisë shtetërore, vetëm falë klientelizmit politik e tenderave publikë, në dëm të një konkurrence të ndershme e transparente në treg? Së fundi, bllokimi aktual i flukseve të tregëtisë ndërkombëtare, po krijon bindjen se “zhvillimet ekonomike të së ardhmes do tentojnë drejt një lokalizimi më të madh të industrive kryesore prodhuese e shërbimeve”.

“Globalizimi” që cdo ditë e më tepër po shpallet e vlerësohet si një nga shkaktarët e këtij kolapsi ekonomik, po reflektohet që të zëvendësohet me “glokalizimin”, si tendencë e ruajtjes se veçantisë së vlerave kombëtare e vendore. Shumë nga vendet e zhvilluara po mendojnë skenarë të “rrikthimit në atdhe” të një pjesë të kapitaleve dhe industrive prodhuese në mënyrë që të jenë më të strukturuar dhe të pavarur në përballimin e krizave të ardhshme. Natyrisht që kjo tendencë do ndikojë shumë në gjithë ekonomitë e vendeve të ndryshme të botës, sidomos në vendet në zhvillim të cilat janë shumë të ekspozuara nga globalizimi, sidomos në raport me IHD.

Edhe pse, në valën e luftës dhe angazhimeve maksimale me natyrë shëndetësore, analizat dhe gjykimet për skenarët e pritshëm ekonomikë post-coronavirus mund të duken paksa “luks e të parakohëshëm”, pikërisht kur kurba e coronavirusit do të jetë drejt fundit, kurba e efekteve negative në ekonomi do të jetë në majën e saj, duke kërkuar masa e politika të sakta për të dalë sa më pak të dëmtuar ekonomikisht e financiarisht, dhe për të patur gati strategjitë e zhvillimit në ciklin e ri ekonomik që pritet të fillojë në rastin më të mirë në tremujorin e tretë ose të katërt të këtij viti, ose në rastin më pesimist, në 6 mujorin e parë të vitit 2021.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ahmetaj: Ja çfarë synon plani A i Ramë!

“Vetëm këtë muaj do humbasim 70 mln USD”

Kush përfiton dhe dokumentet që kërkohen

COVID-19/ Hyn në fuqi paketa e ndihmës për bizneset