Konfindustria mbështet në parim vendimet e fundit të ekzekutivit për lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe fillimin e aktivitetit të disa kategori biznesesh në vend, ndonëse i quan të pamjaftueshme dhe të vonuara.
Përmes një deklarate, Konfindustria shprehet se masat anti Covid-19 të ndërmarra në Shqipëri kanë qenë larg të qenit përpjesëtimore me rrezikun real shëndetësor dhe mjaft më të ashpra sesa praktikat e vendeve të tjera të Rajonit, përfshi edhe gjithë vendet e zhvilluara si Austria, Hungaria, Zvicra, Gjermania, etj.
Konfindustria shpreh shqetësimin për rritjen e ndjeshme të faturës financiare, rritjen e rrezikut të falimentimit, papunësisë, që vjen nga zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme.
“Konfindustria i kërkon ekzekutivit marrjen sa më të shpejtë të masave të thella lehtësuese të gjendjes së jashtëzakonshme anti-Covid 19 për kalimin e vendit drejt normalitetit të plotë. Në këtë kuptim Konfindustria mbështet në parim vendimet e fundit të ekzekutivit për lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe fillimin e aktivitetit të disa kategori biznesesh në vend, ndonëse i quan të pamjaftueshme dhe të vonuara.
Konfindustria vlerëson, se masat anti Covid 19 të ndërmarra në Shqipëri kanë qenë larg të qenit përpjesëtimore me rrezikun real shëndetësor dhe mjaft më të ashpra sesa praktikat e vendeve të tjera të Rajonit, përfshi edhe gjithë vendet e zhvilluara si Austria, Hungaria, Zvicra, Gjermania, etj.
Çdo vonesë drejt lehtësimit të masave shtrënguese është duke prodhuar në vazhdimësi një faturë financiare të lartë shtesë të panevojshme me pasoja të rënda në afatgjatë për ekonominë, biznesin, shtimin e dhjetëra mijëra të papunëve dhe buxhetin e shtetit. Konfindustria mbështetur në të dhënat e ardhura nga kategori të shumta biznesesh shpreh shqetësimin për rritjen e ndjeshme të faturës financiare, rritjen e rrezikut të falimentimit, papunësisë, që vjen nga zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë është e goditur sidomos industria e shërbimeve, transportit, qendrat tregtare, hoteliere, peshkimit, etj, që përbëjnë 35-40% të PPB. Vetëm nga Qendrat Tregtare nëse mbyllja vazhdon në periudhë 2 mujore 30% e bizneseve me 6000 punonjës rrezikojnë falimentimin.”